Maqedoni VMRO DPMNE: Nëse s’ka zgjedhje deri më 24 prill, nuk vlen Marrëveshja...

VMRO DPMNE: Nëse s’ka zgjedhje deri më 24 prill, nuk vlen Marrëveshja e Përzhinos

Nëse s’ka zgjedhje më 24 prill atëherë nuk vlen Marrëveshja e Përzhinos, thotë për “Meta” zëdhënësi i VMRO DPMNE-së Ivo Kotevski, pas shkrimeve në mediume se mund të ketë anulim të datës për 26 qershor.

Sipas mediumeve, në bisedat me euro- komisarin për zgjerim Han mund të kërkohet anulim apo zhvendosje të datës prej 24 prillit për 26 qershor.

“Nuk vjen parasysh kurrfarë zhvendosje. Ne i kemi përmbushur të gjithë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Përzhinos. Kjo krizë duhet të zgjidhet së shpejti e jo të thellohet. Nëse zhvendosen zgjedhjet atëherë Marrëveshja e Përzhinos nuk vlen” thotë Koteski.

Megjithatë LSDM ngel në qëndrimin se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje kriminale.

“Qëndrimi jonë është i prerë. Nuk do të marrim pjesë edhe njëherë në zgjedhje kriminale. Shumë prej obligimeve nuk janë përmbushur. Më së shumti obligimi i KSHZ për verifikimin e listës së zgjedhësve. S’kemi biseduar për zhvendosje të datës së zgjedhjeve, por ne kemi synim të qartë, proces korrekt dhe demokratik” deklaroi zëvendës- kryetarja e LSDM-së, Radmila Sheqerinska.