Maqedoni Trajanovski: Çmimi i biletave të autobusit do të ngel i njëjtë

Trajanovski: Çmimi i biletave të autobusit do të ngel i njëjtë

Çmimi i biletave të autobusëve të Ndërmarrjes së transportit publik (NTP) Shkup nuk do të rritet në 60, por do të ngel çmimi i vjetër prej 35 denarëve. Këtë e parasheh propozim- vendimi për të cilin Këshilli i Qytetit të Shkupit duhet të debatoj në seancën e të së martës, thotë kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

“Çmimi ngel i njëjtë. Propozimi fillestar për çmim prej 60 denarëve ishte që të zvogëlohet pritja gjatë nxjerrjes së biletave sepse në rast të rrëmujës së njerëzve, pritja është e madhe nëpër stacionet e autobusëve derisa vozitësi i jep biletat” deklaroi kryetari Trajanovski.

Sipas Trajanovskit dhe drejtorit të NTP-së, Igor Janushev, nuk do të ketë rritje, por zbritje të çmimeve edhe me sistemin e ri elektronik për pagesën e biletave, duke filluar nga muaji i ardhshëm.

“Në mënyrë të prerë konfirmoj se çdo çmim që përdoret për momentin do të zbritet. Gjithashtu, do të miratojmë bileta të reja që të lehtësohet shfrytëzimi i transportit publik” tha Janushev.

Ai shtoi se pasi të kompletohet sistemim elektronik i pagesave, nuk do të ketë pagesë në formë të letrës. Sistemi i këtillë vlen edhe për autobusët privat.