Maqedoni Gjykata shqiptoi paraburgim prej 30 ditëve për dadon që torturonte foshnjën

Gjykata shqiptoi paraburgim prej 30 ditëve për dadon që torturonte foshnjën

Gjykata themelore Shkupi I i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh dados e cila e tronditi opinionin vendor  me videon në të cilën shihet sesi e torturon fizikisht foshnjën nëntëmuajshe.

Gruaja që ishte angazhuar si dado, për foshnjën është kujdesur 5 muaj. Prindërit kishin filluar të dyshojnë se diçka po ndodhë pasi në trupin e foshnjës kanë vërejtur mavijosje në fytyrë dhe në trupin e fëmijës. Për këtë shkak, babai kishte vendosur kamerë të fshehur në banesë.

Derisa prindërit nuk kanë qenë në shtëpi, kamera ka regjistruar sesi ajo e torturon foshnjën. Videon në rrjetet sociale e ka postuar tezja e foshnjës.

Nga Prokuroria publike informuan se ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale lënie pas dore dhe maltretim të fëmijës sipas nenit 201 të Kodit penal. Për këtë vepër parashihet dënim me burg prej 1 deri në 10 vjet.

Në rrjetet sociale u paraqit edhe një person i cili prezantohet si avokat i dados dhe paralajmëroi se nga gjykata do të kërkojë që regjistrimet të mos i konsiderojë si provë pasi ato janë bërë në mënyrë të paautorizuar.