Maqedoni Ivanov i dhuron mirënjohje Durlovskit për merita në OBM

Ivanov i dhuron mirënjohje Durlovskit për merita në OBM

Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov sot për 9 Maj- Ditën e Evropës dhe fitores ndaj fashizmit, me mirënjohje për meritë dekoroi Operën dhe Baletin e Maqedonisë.

Ndarja e mirënjohjes u mbajt në rezidencën e presidentit në Vodno ndërsa dekorimin e pranoi drejtori i OBM-së, Igor Durlovski.

“Kjo mirënjohje është pranim për rolin që Opera dhe Baleti i Maqedonisë e kishte në fitoren ndaj shkatërrimit dhe të muzikës ndaj heshtjes” ka thënë Ivanov në fjalimin e tij.

Ndryshe, drejtori i OBM-së, Igor Durlovski ishte njëri nga themeluesit dhe liderët e nismës “Për Maqedoni të Përbashkët” dhe protestave që po mbahen në Shkup dhe qytetet tjera kundër platformës së partive shqiptare.

Protestat u përshkallëzuan më 27 prill, pas emërimit të Talat Xhaferit për kryetar të ri të Kuvendit, kur një turmë e protestuesve, mes të cilëve edhe Durlovski, u futën në institucionin ligjvënës. Në dhunë u lënduan disa deputetë dhe gazetarë si dhe u shkatërrua një pjesë e brendshme e Kuvendit.