Maqedoni Gjykata kushtetuese sërish anuloi debatin për kryqin në Butel

Gjykata kushtetuese sërish anuloi debatin për kryqin në Butel

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme ka anuluar pikën 6 të rendit të ditës, që kishte të bëjë me ndërtimin e kryqit në Butel, raporton Portalb.

Anulimin e kësaj pike e ka propozuar gjykatësi Sali Murati. Murati sot nuk ishte prezent në seancë, por i njëjti paraprakisht kishte dorëzuar propozimin për anulim deri te gjykatësit tjerë.

Seanca e radhës do të mbahet të mëkurën e ardhshme, më 29 qershor. Iniciativën për vlerësimin e ndërtimit të kryqit në Butel e ka dërguar kreu i LR-PDSH dhe kryetari i Komunës së Strugës Ziadin Sela.

Fillimisht, për kryqin në Butel gjykatësit duhej të debatojnë në seancën e mbajtur më 31 maj, por atëherë pika u tërhoq nga rendi i ditës.

Vendosja e kryqit që është donacion i Kongresit Botëror Maqedonas (KBM) shkaktoi tensione pasi anëtarë të BDI-së dhe mbështetës të tyre vendosën kamp dhe protestuan kundër ndërtimit ndërsa në tërë këtë problem fizikisht u sulmua edhe kryetari i KBM-së Todor Petrov gjatë vendosjes së gur- themelit.