Maqedoni Branko Ushkovski është kryetari i ri Këshillit Gjyqësor

Branko Ushkovski është kryetari i ri Këshillit Gjyqësor

Branko Ushkovski është kryetari i ri Këshillit Gjyqësor. Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga anëtari i Këshillit, Vllatko Samarxhioski, ndërsa është zgjedhur me 13 vota ‘për’ dhe një fletëvotim të pavlefshëm. Ushkovski është kryetari i parë i Këshillit që më parë nuk ka qenë gjykatës. Ai tha se gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendësit të tij nuk ka pasur marrëveshje partiake, dhe se vetëm një pjesë e vogël e gjykatësve nuk janë në nivel të detyrës.

“Në asnjë rast nuk ekzistojnë marrëveshje partiake për zgjedhjen e gjykatësve… Ju siguroj në mënyrë më të sinqertë se gjykatësit në mënyrë më të ndershme, më me përgjegjësi dhe më profesional ushtrojnë funksionin e gjykatësit. Lidhur me disa gjykatës të caktuar për të cilët është vërtetuar përgjegjësi, ose do të vërtetohet përgjegjësi, e këtu mund të kontribuoni ju mediat, ne edhe për këtë më së shumti do të luftojmë që në asnjë moment rastet e njëjta individuale që të mos barazohen me gjykatësit tjerë që lehtë dhe me përgjegjësi ushtrojnë punën e tyre”, deklaroi Branko Ushkovski, kryetar i Këshillit gjyqësor.

Zëvendësi i Ushkovskit, Selim Ademi shprehet se do të ishte mirë që kolegët e tij të shkojnë më shpesh në terren.

Ushkovski vjen në vend të Aleksandra Zafirovskës e cila për katër vite me radhë në dy mandate e drejtonte Këshillin gjyqësor. Ushkovski, vjen nga vendi i juristit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjatë emërimit të tij anëtar të Këshillit në vitin 2010, opozita akuzoi se është anëtar aktiv i VMRO-DPMNE-së, me çka shkelen rekomandimet e Komisionit Evropian për departizimin e gjyqësisë.