Maqedoni Ushtrimi i njësitit “Alfat” aktivizon protokollin e sigurisë në ambasadën e SHBA-së...

Ushtrimi i njësitit “Alfat” aktivizon protokollin e sigurisë në ambasadën e SHBA-së në Shkup

Më 15 shtator, vetëm disa orë pasi PSP publikoi se po i ngrit dy paditë e para, është lëshuar alarmi në ambasadën e SHBA-së ndërsa në njoftimin më shumë herë është përsëritur “Ky nuk është ushtrim”.

Shkak për sirenat e alarmit është prezenca e dhjetëra pjesëtarëve të njësitit “Alfat” në afërsi të ambasadës, që ka sjellë aktivizimin e protokollit amerikan të sigurisë dhe instruksionet e punonjësve që të largohen nga dritaret dhe të strehohen, shkruan “Prizma”.

E tërë drama, e cila ka ngjarë rreth orës 16, ka zgjatur 20 minuta për shkak të ushtrimit të paparalajmëruar të njësitit “Alfa”, të cilët kanë simuluar reagim në rast të sulmit terrorist në ambasadën e Amerikës, pa e njoftuar më parë ambasadën.

Ushtrimi i këtij njësiti është realizuar me urdhër të kryeshefit Ivica Ançevski- Puki. Ai ka kërkuar të gjitha ekipet në Shkup, me pajisje të plotë, të drejtohen para ambasadës që të vlerësohet sa kohë iu nevojitet në rast të sulmit terrorist.

Mirëpo, ambasada e SHBA-së për këtë ushtrim nuk është njoftuar paraprakisht, që është procedurë e rregullt në rast të këtillë.