Maqedoni Stojkovski: Profesorë nga “Plenumi i Profesorëve” pranuan takim me Ademin

Stojkovski: Profesorë nga “Plenumi i Profesorëve” pranuan takim me Ademin

Rektori Velimir Stojkovski shumë shpejtë ju përgjigj letrës së Plenumit të profesorëve. Ai i siguroi ato se është në anën e fakulteteve dhe profesorëve, por për debat publik, thotë se mjafton takimi i ministrit dhe profesorëve i caktuar për ditën e nesërme. Prandaj nuk ka pasur nevojë për debat televiziv, shkruan “Fokus“.

Në vazhdim letra e rektorit:

“Letrën që e mora nga ju, të titulluar “Letër e hapur”, nuk është mënyra e zakonshme e komunikimit mes anëtarëve të një komuniteti të njëjtë akademik, sidomos kur dini se dyert e Rektoratit gjithmonë janë të hapura, por sidoqoftë, e respektoj letrën tuaj dhe e lexova me vëmendje të madhe.  Me këtë rast, lidhur me letrën tuaj, dua t’u përmend disa fakte dhe t’ju kujtoj për gjithë atë që është bërë nga ana e Udhëheqësisë  së rektoratit, Senatit dhe nga unë personalisht në periudhën e kaluar lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për arsim të lartë. Informatat e para për vendosjen e “provimit ekstern” (termi ishte përdorur nga ministri Abdylaqim Ademi), gjegjësisht provimit shtetëror i morëm nga deklaratat e ministrit për mediumet.

Pas informatave të publikuara, ministrit i dërgova letër (Nr. 19-1209 të datës 30.10.2014) me kërkesë që të caktojë termin për mbajtjen e mbledhjes në të cilën do ishte i pranishëm ai ku do na sqaronte për çfarë idesh dhe reforma bëhet fjalë, pasi mediumet nuk janë mënyrë e komunikimit kur është fjala çështje kaq të rëndësishme. Për fat të keq, ministri kërkesës sonë i është përgjigjur, madje sot, 03.01.2015. Jam i bindur se nëse Universiteti nuk mundet të debatojë pas deklaratave në mediume, pa material të shkruar për të cilin do hapet debat. Në ndërkohë, nga ministri morëm dy shkresa (materiale). Të parën me datë 05.12.2014 në të cilën e sqaron idenë për provim shtetëror dhe e cila menjëherë është dërguar deri në njësitë e universitetit (dhe deri te universitetet tjera në Republikën e Maqedonisë) që të prononcohen dhe përgjigja e të gjithëve ishte e njëjtë, se provimi shtetëror nuk është masë me të cilën do të përmirësohet cilësia e  arsimit të lartë.

Gjatë prononcimit për letrën e parë Ministria e arsimit dhe shkencës në faqen e internetit të Regjistri i Vetëm Nacional  Rregullave të Republikës së Maqedonisë (RVNRM)  „ЕНЕР“i publikoi ndryshimet e ligjit për arsim të lartë, por, kësaj here bashkë me Propozim-ligj për institucionet e arsimit të lartë për arsimim të kuadrit arsimor për arsimin parashkollorë, fillorë dhe të mesëm. Prandaj, ministrit iu drejtuam përsëri, me letrën e dytë me datë 17.12.2014 dhe e kërkuam tekstin zyrtarë për ndryshimet e propozuara që të mund të realizojmë debat publik.  Materialin e morëm me datë 18.12.2014 me afat për prononcim deri me datë 20.12.2014 (e shtunë), gjegjësisht vetëm një ditë. Duke pas parasysh që kjo nuk ishte e mundur, materiali menjëherë u dorëzua në njësitë e Universitetit, ndërsa njëkohësisht nga ministri u kërkua ta respektojë afatin prej minimum 15 ditë prononcim, gjegjësisht prononcimi të bëhet deri më 29.12.2014. Por, në ndërkohë u fillua me procedurën për miratimin e ndryshimeve ligjore, si dhe ligjin e përmendur.

Nisur nga e gjithë kjo, Udhëheqësia e rektoratit njëzëri në mbledhjen e mbajtur më 22.12.2014, dërgoi letër deri te ministri i arsimit me të cilën kërkohej të shtyhet procedura e miratimit të këtyre ndryshimeve dhe të mundësohet debat serioz. Njëkohësisht  Udhëheqësia e rektoratit mori vendim të mbahet një konferencë  ku ishin ftuar edhe institucionet kompetente, të hapen të gjitha pyetjet për cilësinë e arsimit të lartë. I njëjti vendim njëzëri u konfirmua edhe nga Senati i universitetit në mbledhjen e mbajtur me datë 29.12.2014 (në të cilin ka edhe kolegë profesorë që janë aktiv në Plenumin e profesorëve).

E gjithë kjo do të thotë që, as Udhëheqësia e rektoratit, as Senati, e as unë si rektor kam mbrojtur apo kam mundur të mbroj qëndrime ndryshe nga ato të fakulteteve, institucioneve dhe organeve të universitetit, që në fakt është vërtetuar edhe me nënshkrimet tona në letrën dërguar ministrit. Jam i bindur se e keni të njohur, por megjithatë sërish rikujtoj, se Udhëheqësinë e rektoratit e përbëjnë 34 dekanë, drejtorë të institucioneve shkencore dhe kryetari i Parlamentit studentorë, prorektorët dhe rektori, ndërsa Senatin e Universitetit e përbëjnë 68 senatorë nga të gjitha njësitë e Universitetit, që kanë të drejtë të plotë demokratike dhe legjitime ta përfaqësojnë njësinë nga e cila janë deleguar, t’i përfaqësojnë qëndrimet e fakulteteve dhe institucioneve, por edhe të shprehen qëndrime personale rreth çështjeve të caktuara. Duke pasur në konsideratë këtë, të gjitha vendimet që njëzëri janë miratuar nga Udhëheqësia e rektoratit dhe Senatit, njëkohësisht janë qëndrim edhe i Këshillave arsimorë-shkencorë të fakulteteve dhe Universitetit.

Kolegë të nderuar, qëllimi jonë është i përbashkët-arsim i lartë cilësor sipas standardeve evropiane dhe botërore, ku studenti është subjekti qendror, sepse universitetet ekzistojnë për studentët,dhe jo e kundërta. Por, metodat dhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme. Në këtë drejtim, ju siguroj se organet e Universitetit bëjnë gjithë atë që munden në kuadër të ligjeve, të dëgjohen argumentet tona lidhur me propozimet e përmendura. Prandaj, në situatë kur të gjithë kërkojmë debat dhe të dëgjohet zëri jonë, madje edhe ju si Plenum i profesorëve sot këtë edhe publikisht e kërkuat (kërkesë për debat televiziv), nuk shoh dallim mes debatit publik në TV dhe debatit në takimin e propozuar nga ministri i arsimit dhe shkencës, sidomos kur në takim janë ftuar 5 përfaqësues të Plenumit të profesorëve të cilët e pranuan ftesën. Nuk shoh pse njëra do ishte “hedhje pluhur” e tjetra jo. Pse debati në kuadër të konferencës brenda universitare do ishte “post-festum”, e debati në TV nuk do ishte?

Kolegë të nderuar, ju lutem të qëndrojmë në kornizat akademike dhe në nivelin e profesionit tonë, ndërsa fuqia jonë të jetë fuqia e argumenteve, për të mirën e të gjithëve”, thuhet në letër.