Maqedoni Sela të shtunën do të mundohet ta marrë PDSH-në prej Menduh Thaçit

Sela të shtunën do të mundohet ta marrë PDSH-në prej Menduh Thaçit

Kryetari i komunës së Strugës, Zijadin Sela, të shtunën do të mundohet ta marrë PDSH-në prej liderit aktual të partisë, Menduh Thaçit. Kongresi i cili do të mbahet në Tetovë, sipas Selës, është i gjashti kongres me radhë i partisë, ku pritet që pikërisht ai të përzgjidhet si lider i PDSH-së. Sela është i vetmi kryetar komune nga radhët e PDSH-së, në qytetet e mëdha.

Përkrahësit e Thaçit nuk deshën të komentojnë, por thanë se kongresi i gjashtë veç më është mbajtur në tetor të vitit të kaluar, ndërsa të shtunën nuk mund të ketë kongres sepse Sela nuk i ka vulat e partisë e as mbështetjen e anëtarësisë.

– Partia nuk është vetëm ca vula. Partia politike ka vlerë më të madhe se vulat dhe më shumë se një lider. Partia është e anëtarësisë. Unë me përgjegjësi të plotë mund t’ju them se 80 për qind e anëtarësisë është te ne. Legjitimitetin e përcakton kongresi, anëtarësia e jo vula. Ne do t’i drejtohemi me letër Thaçit që t’i kthej vulat. Nëse këtë nuk e bën do të ketë kontest gjyqësor.

Pas kongresit që do të mbahet të shtunën, Sela paralajmëron se do të fillojë bisedimet me partinë e Rufi Osmanit.