hubalb Objekti ku u hodh granata në Ranillug është pronë e një boshnjaku...

Objekti ku u hodh granata në Ranillug është pronë e një boshnjaku me shtetësi të Serbisë

Më 6 mars 2024, mediat serbe kanë publikuar një artikull me titull ”VAZHDON FRIKËSIMI I SERBËVE NË KOSOVË. Një mjet shpërthyes është hedhur në lokalin serb në Ranillug.” Artikull është shpërndarë edhe nga mediumet e tjera, ”Blic.rs”, ”Nova.rs”, ”Republika.rs”, me titull “SHPËRTHIM NË KOSOVË: Është hedhur bombë në objektin serb, dëmet materiale janë të mëdha!”. Në përmbajtje të artikullit pretendohet se mjeti shpërthyes është hedhur në objektin e pronarit serb në Ranillug afër Kamenicës. Sipas tyre, ky është edhe një akt tjetër i orkestruar që për qëllim ka frikësimin e serbëve në Kosovë. Veç raportimit përgjithësues, këto media nuk kanë treguar se pronari i lokalit është i nacionalitetit boshnjak, por që ka shtetësi të Serbisë. Këtë rrethanë e kanë sqaruar për Sbunkerin në Policinë e Kosovë, që thanë se hetimet lidhur me autorët e sulmit janë duke vazhduar.

Sipas PK-së, më 6 mars 2024, ”dyshohet se në tarracën e një restoranti, i cili ishte i mbyllur (jashtë funksionit, pasi nuk posedon leje për fushë-veprimtari nga Komuna), me pronar S.Z., i nacionalitetit Boshnjak, shtetas i Republikës së Serbisë, me banim në fshatin Domoroc të Komunës së Ranillugut, është hedhur një granatë dore. Në PK më tej sqaruan se Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Ranillug, Krim Teknika dhe njësite të tjera relevante, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Përpos dëmeve materiale, lëndime trupore nuk ka pësuar askush. “Policia e Kosovës, Njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në identifikimin, arrestimin e personave të dyshuar dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Për sulmin në Ranillug kanë shkruar edhe media shqiptare si: ”RTV21””Zëri.info”, duke iu referuar raportit të Policisë. Por, në përmbajtje nuk është dhënë sqarimi se pronari i takon nacionalitetit boshnjak me shtetësi të Serbisë.

Kjo nuk është hera e parë kur në rastet e sulmeve në lokacionet e populluara me shumicë serbe, mediat serbe nxjerrin përfundime se ato janë të drejtuara qëllimshëm për t’i frikësuar serbët që ta lëshojnë Kosovën. Sulmet e tilla me bomba në zona të banueshme shkaktojnë frikë dhe panik në mesin e qytetarëve, por mediat duhet të jenë të kujdesshme në raportime dhe të mos jepen cilësime etnike, përderisa rasti është duke u hetuar nga organet përkatëse.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”