Maqedoni Gruevski: Zgjedhjet në prill janë qëllimi final i marrëveshjes së Përzhinos

Gruevski: Zgjedhjet në prill janë qëllimi final i marrëveshjes së Përzhinos

Kryeministri Nikolla Gruevski në fjalimin e mbrëmshëm në përvjetorin e Ditës së luftës revolucionare maqedonase foli për disa çështje politike, për Marrëveshjen e Përzhinos, zgjedhjet që duhet të mbahen më 24 prill dhe rolin e komunitetit evropian për procesin politik në të cilin gjendet shteti.

Në lidhje me Marrëveshjen e Përzhinos tha se qëllimi primar është që të organizohen zgjedhje ku populli do të mund të vendos në kushte demokratike dhe ku nuk do të ketë dyshime për pabarazi, diskriminim apo favorizim.

“Marrëveshja është qartë e shënuar dhe duhet të respektohet. Kjo marrëveshje s’mund të shërbej si pikënisje për bisedime të reja. Zgjedhjet janë qëllimi final i marrëveshjes, e që janë udhërrëfyes deri në cakun final” deklaroi Gruevski.

Ai shtoi se më 24 prill do të pastrohen çdo gjë dhe siç tha “deri atëherë do të ketë amulli, do të ketë tentime të pistë për rrëzimin e pushtetit dhe vullnetit të popullit, por ne do të qëndrojmë krah më krahë me popullin dhe nuk do ta zhgënjejmë”.

“Në ato zgjedhje, populli do të tregoj kë e mbështet dhe te kush ka besim. Nuk do ta thotë këtë ndonjë i huaj, apo dikush me shkop magjik për t’i zgjidhur problemet tona” deklaroi kryeministri.