Ekonomi Nikollovski: Keqpërdorime të mëdha me paratë e projektit “Ndihma japoneze”

Nikollovski: Keqpërdorime të mëdha me paratë e projektit “Ndihma japoneze”

Zëvendësministri i bujqësisë, Lupço Nikollovski para mediave paraqiti disa prova, që sipas tij dëshmojnë se si ish-ministri Lupço Dimovski, ka keqpërdorur paratë e projektit të njohur si “Fondi Japonez”. Nga ky projekt Maqedonia ka marrë një shumë prej 12 milion dollarëve prej Japonisë, si ndihmë për zhvillimin e bujqësisë në vend. Por sipas Nikollovskit, në vend se këto para të përdoren për subvencionimin e blerjes së traktorëve për bujqit, ato janë keqpërdorur.

“Ky Raport i Komisionit për administrimin e mjeteve nga ndihmat e Qeverisë japoneze dëshmon se kompanisë Faktor Konstalling, nga xhiro-llogaria e fondit kompenzues i është bërë pagesë në vlerë prej 3 milionë denarë, gjegjësisht rreth 50 mijë euro për paushall mujor dhe larje e borxhi. Në mënyrë shtesë, nga kjo xhiro-llogari është tërhequr një shumë e re në vlerë prej 9 milionë denarëve, gjegjësisht rreth 150 mijë euro, para këto, për të cilat Komisioni i Ministrisë konstaton se nuk ka justifikim se  si dhe pse janë tërhequr nga subjekti ligjor”, u shpreh Lupço Nikollovski, Zv.ministër i Bujqësisë.

Bazuar në të dhënat zyrtare nga  Regjistri Qendror, “Faktor Konsalting”, kompania e apostrofuar nga zëvendës-ministri Nikollovski, është ende aktive.  Por nga kjo kompani nuk përgjigjen në telefon, kurse as zyra e tyre nuk mund të gjendet në adresën e paraqitur.