Kulturë Në edicionin e katërt të “Animax-fest Shkupi” do të shfaqen 51filma

Në edicionin e katërt të “Animax-fest Shkupi” do të shfaqen 51filma

Në edicionin e katërt të Festivalit ndërkombëtar për film të animuar “Animaks-fest Shkupi 2014” do të shfaqen 51 filma, nga të cilët tetë janë dedikuar për publikun fëmijë.

Festivali do të mbahet prej 4 deri më 6 dhjetor, në Kinotekën e Maqedonisë, nën moton “ Nëse të gjithë ndriçojnë, ti shkëlqe”.

Në tre ditët e festivalit të “Animaks-fest” do të shfaqen 43 filma për të rritur dhe tetë filma për fëmijë. Ata janë përzgjedhur nga 326 animacionet rekorde të paraqitura nga 52 shtete të botës, mes të cilëve numër më i madh nga: Franca, Spanja, Gjermania, Polonia, Italia, Brazili, si dhe filma nga Iraku, Irani, India, Koreja e Jugut, Tajvani, Kuba, Peru etj.

Numri më i madh i tyre janë bartës të çmimeve prestigjioze, fitues të festivaleve të filmit në kategorinë A.

Tradicionalisht, në ditën e fundit të festivalit, 6 dhjetr, do të ndahen çmimet “Tjegulla e artë”, “Tjegulla e argjendtë” dhe “Tjegulla e bronztë”, dhe për këtë do të vendosë juria ndërkombëtare. Gjithashtu, do të ndahet edhe “Tjegulla e artë” për filmin më të mirë të animuar për fëmijëm ndërsa për fituesin do të votojnë fëmijët në të tri ditët e festivalit.

Gjatë kohës së festivalit do të mbahen edhe punëtori në ambientet e Kinotekës së Maqedonisë.

Programi zyrtar i festivalit përmes shfaqjes së filmave do të fillojë në orën 20. Programin për fëmijë të enjten dhe të premten do ta ndjekin fëmijët e organizuar nga shkollat fillore, ndërsa të shtunën programi për fëmijë do të fillojë në orën 12 dhe do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit. Biletat për festivalin kushtojnë 50 denarë dhe mund të gjenden në hyrjen e Kinotekës së Maqedonisë.

Programi i plotë është shpallur në ueb-faqen e festivalit.animaxskopjefest.mk.

“Animax-fest Shkupi” është nën organizim të shtëpisë së produksionit “Auripigment”, në bashkëpunim me shoqatën qytetare Qendra kreative”Tintiri-mintiri” nga Shkupi, me përkrahje të Ministrisë së kulturës së Republikës së Maqedonisë, dhe në bashkëpunim me Kinotekën e Maqedonisë.

“Animax-fest Shkupi” është festivali i parë i filmit të animuar në Maqedoni. Qëllimi i festivalit është ngritja dhe ndërtimi i kulturës në kuadër të bashkëpunimit të filmave të animuar, për të rritur dhe fëmijë, të cilët paraqesin aspekte të ndryshme nga jeta e përditshme.