Ekonomi Ekonomia joformale është 30%, të rinjtë më të rrezikuar

Ekonomia joformale është 30%, të rinjtë më të rrezikuar

Ekonomia joformale në Maqedoni është 30%. Turizmi, hotelieria, industria e këpucëve, sfera mediatike janë degët ku më shumë është e përfshirë. Më të rrezikuar janë të rinjtë ndërsa ne jemi vendi lider në rajon ku 45% e të rinjve punojnë në ekonominë joformale. Në të bëjnë pjesë të gjithë veprimtaritë të paregjistruara, me çka evitohet pagesa e tatimeve dhe kontributeve dhe kjo ka ndikim negativ ndaj të gjitha sferave, si për punëtorët e palajmëruar ashtu edhe për arkën e buxhetit.

Këto të dhëna u prezantuan në tryezën e rrumbullakët me temë “Politika tatimore, ekonomia joformale dhe korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Me planin aksionar dhe masat aktive të Qeverisë për uljen e normës së papunësisë, përqindja e ekonomisë joformale është zvogëluar prej 43% në 30%. Më të rrezikuar janë të rinjtë dhe prej këtu është e rëndësishme që të edukohen që të thonë “jo” për punën në të zezë” deklaroi Biljana Çklamovska, e cila e ka zbatuar hulumtimin “Ekonomia joformale”.

Në raportin e ekspertit të BE-së, Martin Hucbaut, për politikat tatimore dhe buxhetore në vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, thuhet se në të gjithë vendet e rajonit, si dhe në Maqedoni, pjesa më e madhe e tatimimit është përmes mënyrës indirekte siç është TVSH-së. Rekomandon, tatimimi i drejtpërdrejtë të jetë në progres.

“Kur jemi tek tatimimi i të ardhurave të punës, tatimi me normë të rrafshët nuk është korrekt sepse kjo prish parimin elementar se “norma më e gjerë duhet ta mbaj ngarkesën më të madhe”. Kjo e ardhur duhet të tatimohet sipas shkallës progresive. Në Francë, Gjermani dhe Belgjikë, tatimi progresiv është 6%, 12%, 21%. Nuk mundet ai që fiton pak dhe ai që fiton shumë të paguajnë njëjtë”, theksoi Hucbaut.