Screenshot of published article

Policia e Kosovës (PK) më 7 korrik, duke zbatuar vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka bastisur disa lokacione në komunën e Shterpcës. Sipas prokurorit të rastit, qëllimi i këtij aksioni të PK-së, ka qenë kontrollimi i disa lokacioneve ku veprojnë strukturat ilegale serbe në Kosovë. Gjatë këtij aksioni në objektin e komunës ilegale të Shtërpcës janë konfiskuar të gjitha dokumentacionet që gjendeshin në atë objekt. Sipas të njëjtit njoftim nga prokurori i rastit, janë sekuestruar gjithashtu paijsje elektronike dhe kamera, të cilat ishin instaluar në mënyrë ilegale nga po të njëjtat struktura. Në vazhdim të këtij njoftimi nga prokurori i shtetit dhe nga PK-ja, konfirmohet që në këtë aksion të rregullt nga ana e institucioneve të shtetit të Kosovës, nuk ishte arrestuar askush.

Mirëpo, sikur edhe në çdo rast tjetër, thuajse secili veprim i institucioneve të Kosovës që ka të bëjë më vendosjen e rendit dhe ligjit në disa rajone dhe komuna të Kosovës, dhe ku ka qytetarë serbë, reagimi i shtetit serb është histerik, i papërmbajtur dhe i përcjellë me dezinformata. Kështu ndodhi edhe me rastin e bastisjes në Shterpcë. Qeveria e Serbisë përmes të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” e ka quajtur veprimin e PK-së si një “sulm dhe presion ndaj serbëve.” Sipas kësaj zyreje, aksioni është zhvilluar qëllimshëm në ditën kur serbët festuan “Shën Gjonin”.

Image

“Kontrolli është bërë në ndërtesën Hertz TV, stacionin e vetëm televiziv në gjuhën serbe në Shtërpcë ku janë hequr kamerat nga shtyllat ndriçuese të cilat ligjërisht u vendosën para 10 viteve, dhe që nuk funksionojnë më, ndërsa forcat speciale po ashtu kanë  bastisur edhe shkollën fillore në Shtërpcë”, thuhet në komunikatën kësaj zyre.

Edhe Lista Serbe ka reaguar për aksionin në Shtërpcë, duke e cilësuar politik dhe sipas tyre kjo ka ndodhur vetëm për shkak se ka qëlluar të jetë një festë në këtë komunë.

“Fakti që aksioni është ndërmarrë gjatë një feste të madhe, Shën Gjonit, konfirmon se është veprim puro politik i institucioneve të Kosovës i drejtuar kundër popullatës serbe në komunën e Shtërpcës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ky subjekt, po ashtu ka kërkuar reagimin e institucioneve ndërkombëtare duke pretenduar se qëllimi prapa këtij aksioni është tentimi për t’i larguar serbët nga Kosova.

Image

Por, autoritetet e Kosovës kanë sqaruar se aksioni ka qenë i drejtuar kundër një aktiviteti të jashtëligjshëm nëpërmjet të cilit janë vëzhguar lëvizjet e qytetarëve.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, këto struktura janë ilegale dhe kundër rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës dhe se aksioni nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë, por me disa të arrestuar të Brezovicës.

“Ish-kryetari i komunës Branislav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, ka thënë Maloku.

Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për kamerat kineze  që janë në listën e zezë të ShBA-së dhe që kanë hyrë në Kosovë përmes Serbisë. Serbia përmes strukturave paralele në Kosovë ka blerë një sistem të vëzhgimit nga kompanie kineze DAHUA”. Ky sistem i vëzhgimit është sjellë me qëllim që të vendoset në 12 shkollat fillore të Kosovës ku jeton komuniteti serb.

Prandaj, edhe siç konfirmohet më lartë, i gjithë veprimi i PK-së ishte një përpjekje e rregullt për të vendosur rend dhe ligj në pjesët ku strukturat ilegale kishin operuar pa u penguar me vite, duke përdorur edhe sisteme të kamerave të kontrolluara nga jashtë Kosovës.