As Zaev, as Gruevski, as Thaçi e as Ahmeti, madje as Han s’mund të thonë se kur mund të pastrohen listat e zgjedhësve. Diç të tillë mund të thotë vetëm KSHZ- tha kreu i LSDM-së Zoran Zaev, në konferencën e sotme të shtypit.

Zaev konfirmoi edhe njëherë se më 24 prill s’mund të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike sepse deri atëherë nuk mund të pastrohet lista zgjedhore. Siç thotë ai, nevojiten 85 deri 90 ditë për pastrimin e listës.

Ai shtoi se në listën zgjedhore duhet të bëhet krahasimi i të dhënave të vjetra me ato të rejat, të krahasohen dhjetë baza me lista zgjedhore, të bëhet kontroll në terren dhe të fshihen ato që nuk janë në listë. Gjithashtu, Zaev tha se duhet të ndahen qytetarëve që votojnë në Maqedoni nga ato që votojnë në përfaqësitë konsulare- diplomatike.

“Nëse pastrimi i listës zgjedhore mbaron deri më 15 prill, zgjedhje duhet të ketë më 5 qershor. Nëse mbaron më 15 maj, atëherë zgjedhje mbahen më 5 korrik. Bisedimet rreth mediumeve dhe listës zgjedhore shkojnë aq ngadalë sepse këtu pushteti është i dobët. Shumë momente të turpshme për pushtetin do të dalin me pastrimin e listave zgjedhore” shtoi ai.

Që Maqedonia të ec përpara janë të nevojshme zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Më 24 prill zgjedhje të tilla nuk do të ketë.

“LSDM, partnerët e koalicionit dhe partitë tjerë nuk do të marrin pjesë në zgjedhje të organizuara njëpalëshe. Marrëveshja e Përzhinos u firmos që të tejkalohet kriza politike e jo të thellohet. Tani çdo qytetar është bindur se Gruevski nuk dëshiron të ketë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike” deklaroi Zaev.

Ai shtoi se LSDM dhe partnerët e koalicionit nuk do të heqin dorë nga kjo betejë sepse pa lista të pastra zgjedhore dhe pa mediumet të lira s’mund të ketë zgjedhje demokratike.