Lideri i LSDM-së Zoran Zaev është takuar me prindërit dhe familjarët e djemve që u vranë tek liqeni i Smilkovcës në masakrën që ngjau të enjten më 12 prill të vitit 2012. Goran Nakevski, babai i Aleksandrit, njërit prej viktimave, tha se në takim kanë kërkuar nga Zaev t’ua jep materialet me të cilat posedon.
Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov për “Meta” as nuk konfirmoi, por as nuk mohoi se ka pasur takim.
“U takuam me Zaevin dhe i kërkuam materialet si dhe mesazhet e Fejzi Azirit (njëri i të dënuarve) i cili sipas njohurive tona, ka komunikuar me porositësit. E dimë se mesazhet e tilla ekzistojnë, deklaroi Nakevski për agjencinë e lajmeve “Meta”.
Nakevski tha se Zaev nuk ua ka dhënë dokumentet sepse e ka ditur se nuk do të heshtin dhe se do t’i publikojnë. Zaev gjithashtu u ka premtuar se çdo gjë që posedon do t’i publikoj.
Nakevski shpreson se materialet që do t’i publikoj Zaev do të kenë ndonjë efekt dhe do të shkaktojnë proces për zbardhjen përfundimtare të vrasjes së pesëfishtë.
“Çfarëdo që të thotë Zaev, do të jetë e dobishme. Mjaft është kjo agoni në të cilën jemi gati 3 vite. Kemi informacione se Ali Ahmeti i është kërcënuar prokurores e cila po udhëheq rastin, që mos t’i publikoj bisedat e koordinuara telefonike dhe kërkuam nga ai, nëse ka regjistrim të tillë, të na jep. Ai tha se kjo ka qenë në vitin 2014 ndërsa regjistrime ka prej vitit 2011 dhe 2013. Nëse ne e fitojmë disi atë regjistrim, do ta lëshojmë në opinion sepse nuk kemi çfarë të fshehim”, thotë Nakevski.
Kryetari i LSDM-së në disa intervista njoftoi se do të publikoj çdo gjë që posedon.
“Ne premtuam se do të publikojmë çdo gjë që kemi. Do të tregojmë edhe materiale për rastin “Monstra” që është jashtëzakonisht rast i tmerrshëm ku u vranë katër të rinj dhe një person më i moshuar tek liqeni i Smilkovcës. Janë vrarë maqedonas ndërsa akuzohen shqiptarë. Tërë të vërtetën që e posedojmë për këtë rast do ta publikojmë, pa marrë parasysh a do t’u përshtatet pritjeve të një pjese të qytetarëve- deklaroi Zaev për Agjencinë e lajmeve “Meta”.
Në pyetjen e gazetarëve nga konferenca e fundit për shtypit nëse të enjten kur shënohen 3 vite nga vrasje e tmerrshme do të zbardhen bisedat për këtë rast, Zaev tha se këtë nuk do ta bëj për shkak të respektit ndaj ditëve të festës.