Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nuk do të paraqitet në gjykatën penale Shkup edhe të hënën e ardhshme, më 7 shtator, për kur është caktuar fillimi i procesit gjyqësor për rastin “Puçi” deklaroi për “Meta” zëdhënësi i kësaj partie, Petre Shilegov.

“Nuk ka tërheqje nga qëndrimi paraprak” tha shkurt Shilegov.

Lideri opozitar në fillim të korrikut, shkurtë pas njoftimit të terminit për fillimin e seancës kryesore për rastin “Puçi”, në konferencë njoftoi se nuk e pranon dhe nuk do ta pranoj vendimin e gjykatës për rastin “Puçi”. Ai atëherë gjithashtu deklaroi se nuk do ta respektoj masën e kujdesit që ia shqiptoi gjykata, që çdo të hëne të paraqitet në gjykatën e Strumicës si dhe nuk do të paraqitet nëpër seancat e rregullta për këtë lëndë.

Zaev njëkohësisht deklaroi se për shkak të vendimit të tij gjykata në çdo kohë mund të jep urdhër për arrestimin e tij dhe shqiptimin e masës së arrestit.

Fillimi i seancës për rastin “Puçi” fillimisht u caktua për 5 gusht, por u anulua sepse në gjykatë nuk u paraqit lideri i opozitës si i akuzuari i katërt në këtë rast.

Nga LSDM konsiderojnë se rasti “Puçi” si dhe hetimi për pohimet që dalin nga përmbajtja e bisedave nga afera “Përgjimi” duhet të jenë lëndë pune e prokurorit të ri special, për emërtimin e të cilit po bisedojnë katër partitë më të mëdha në vend.

Në këtë kontekst, më 5 qershor, avokati i Zaev, Filip Medarski para gjyqit tha se duhet të jepet afat më i madh për fillimin e gjykimit sepse “në ndërkohë është arritur marrëveshja e Przhinos, sipas të cilit, këtë rast do ta merr në shqyrtim prokurori special publik.

Megjithatë, ndaj kësaj kryesuesja e Këshillit gjyqësor, gjykatësja Lubinka Bashevska, replikoi se “ nuk punon sipas marrëveshjes, por sipas ligjit”.

Në rastin “Puçi” krahas Zaev akuzohen edhe ish drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski, bashkëshortja e tij, Sonja Verushevska, Branko Palifrov, nëpunës në komunën e Strumicës dhe funksionari i MPB-së, Gjorgji Lazarevski. Ata sipas aktakuzës ngarkohen me veprën kriminale spiunim, përgjim të paautorizuar dhe regjistrim tonik si dhe dhunë të përfaqësuesve më të lartë të shtetit.