Deputetët e LSDM-së më 1 shtator do ta ndërpresin bojkotin dhe do të kthehen në Kuvend, ka deklaruar për “Utrinski”, lideri i partisë më të madhe opozitare, Zoran Zaev dhe ka shtuar se “Marrëveshja nga Przhino do të rezultojë me sërë propozimesh ligjore që LSDM do t’i votoj”.
“Më 1 shtator kthehemi për ta miratuar ligjin për prokurorin special në bazë të cilit do të emërohet prokurori special. Ky ligj është kyç në tërë procesin sepse prej përmbajtjes së tij dhe kompetencës do të varet edhe kandidati i cili do të zgjidhet në këtë post” ka deklaruar Zaev për “Utrinski”.
Siç shkruan gazeta, Zaev nuk ka dashur t’i njoftoj emrat e ekspertëve juridik që për opozitën do të ishin të pranueshëm për postin e prokurorit special. Ai ka deklaruar se prokurori special publik duhet të jetë përzgjedhje e përbashkët e katër partive politike, për çka nuk mund të spekulohet me emra para kohe.
Krahas kësaj, “Utrinski” duke u thirrur në burimet të LSDM-së shkruan se tanimë është ngushtuar rrethi i kandidatëve të mundshëm për zgjidhjet kadrovike që partia duhet t’i delegoj në qeverinë kalimtare, e cila duhet t’i organizoj zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm, por nga partia nuk kanë dashur t’i përmendin emrat e tyre sepse në vijim e sipër janë konsultimet me ta. Bëhet fjalë për kandidat për ministra të punëve të brendshëm, punë dhe politikë sociale si dhe zëvendës ministra të financave, bujqësisë dhe shoqëri informatike.
Ndërkaq, kthimi i LSDM-së në Kuvend është pjesë e marrëveshjes që katër liderët, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi e arritën nën patronazhin e komunitetit ndërkombëtarë.