Kohëve të fundit VMRO DPMNE ia ka ndërruar emrin Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe në njoftimet zyrtare të partisë dhe në deklaratat e anëtarëve të saj, oponentin e vet politik ka filluar ta quan me shkurtesën “LSD” në vend të “LSDM”, siç ishte më herët.
Nga foltorja kjo shqiptohet si “lë së dë” ndërsa këtë fjalor të ri e pranuan apo e ndjekin edhe analistët dhe kolumnistët e afërt me partinë e DPMNE-së, kështu që flasin dhe shkruajnë për “demokraci sipas LSDM”, për planin B të LSD”, se “LSD do të tentoj me dhunë të merr menaxhimin e shtetit”, etj.
Në pyetjen e “Meta” pse VMRO DPMNE ia ka ndryshuar emrin LSDM-së, zëdhënësi i partisë Ivo Kotevski, në stilin karakteristik, duke përdorur shkurtesën “LSD”, tha se këtë e kanë bërë pasi “Zoran Zaev me pranimin e Platformës së Tiranës thellë ka shkelur me politikat anti-shtetërore dhe anti- nacionale”.
“Krimineli i falur Zoran Zaev vet publikisht tha se LSD-së nuk i ka hije të aktrojë patriotizëm ndërsa tash i tërë opinioni është i vetëdijshëm se me pranimin e Platformës së Tiranës ka shkelur me politikat anti- shtetërore dhe anti- nacionale. Në fakt, nuk ka qytetar në Maqedoni i cili nuk mund t’i numëroj pesë shkaqe për të cilat LSD tashmë askush nuk e sheh si parti që i mbron interesat shtetërore dhe nacionale”, ka shkruar Kotevski.
Ndërsa javën e kaluar, deputeti i LSDM-së, Damjan Mançevski nga foltorja e Kuvendit, partinë e kolegëve nga blloku tjetër e quajti DPMNE, pa parashtresën VMRO, duke theksuar se ky është qëndrimi i tij personal.
Ndaj kësaj reaguan deputetët e VMRO DPMNE-së, të cilët kërkuan partia e tyre të emërohet me emrin e plotë sepse në të kundërtën, siç thanë, edhe ata do të fillojnë ta quajnë LSDM-në me emra tjerë.
Ndryshe, LSDM në kumtesat zyrtare VMRO DPMNE-në e emëron me emrin e plotë.