Duke goditur në tiganë dhe tenxhere, protestuesit kërkuan dorëheqjen e Gruevskit

-

Mijëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës janë duke protestuat para banesës së kryeministrit Nikolla Gruevski duke kërkuar nga ai largimin nga skena politike. Protesta e cila filloi para qeverisë, parakaloi në bulevardet kryesore të Shkupit duke brohoritur tërë kohën ‘Gruevski ik’ ndërsa në duar mbanin edhe pjata dhe tiganë. Protestuesit thanë se Qeverisë Gruevski i ka ardhur fundi dhe se duhet të merr fund kriminaliteti.

Para ndërtesës ku jeton kryeministri gjegjësisht në udhëkryqin nga rrugët Pavel Shatev, Jordan Mijalkov dhe Anton Popov, protestuesit kërkuan dorëheqje nga Gruevski dhe qeveria e tij.

“Dil Nikolla nga katër banesat e tuaja dhe të shohësh çfarë po ngjan me popullin tënd. Dil Nikolla në tarracë, ta shohësh racën tënde të nënçmuar. Dil Nikolla jo vetëm në tarracën tënde, dil dhe largohu nga “Ilindenska”- tha aktivisti Petrit Saraçini.

Para protestuesve foli edhe zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov i cili kërkoi Gruevski menjëherë të jep dorëheqje, ose që sonte ose më 29 qershor.

“Kemi ardhur me tiganë dhe tenxhere, të të themi se është fundi i gjellëve tuaja. Largohu Nikolla, e ardhmja e këtij populli nuk varet prej teje. Zgjedhjet që ti do t’i organizosh, ky popull nuk i dëshiron. Do të të mbajnë mend se prej margjinalit je bërë kriminel” tha Shilegov.