Policia ua konfiskoi telefonat mobilë të arrestuarve dhe të ndaluarve gjatë aksioneve policore kundër demonstruesve që nga 5 maji e këtej. E vetmja që u është thënë është se telefonat do të çohen për ekspertizë. As pas 22 ditëve nuk ka shpjegim për këtë veprim të policisë, reaguan nga Civil.
“Sjellja e këtillë është në kundërshtim me Ligjin për procedurë penale. Sjellja e paligjshme e pushtetit posaçërisht shihet në dispozitën për caktimin e ekspertizës nga LPP. Në alinenë 1 të kësaj dispozite të LPP saktësohet se: “Ekspertiza caktohet kur për konfirmimin apo vlerësimin e një fakti të rëndësishëm duhet të sigurohet gjetje dhe mendim nga personi që disponon me njohuritë e nevojshme eksperte. Ekspertizën sipas rregullit e bëjnë ekspertë të regjistruar në regjistrin e ekspertëve.”
Më tej, në alinenë 2 të dispozitës së njëjtë qartë thuhet se: “Ekspertiza vendoset me urdhër me shkrim”. Asnjë nga të privuarit nuk ka marrë urdhër me shkrim për konfiskimin e telefonave mobilë.
Posaçërisht është e rëndësishme alineja 3 e dispozitës ligjore për ekspertizën, ku caktohet se: “Gjatë procedurës paraprake urdhërin e jep prokurori publik, kurse në seancën kryesore gjyqi në pajtim me nenin 394 alineja (2) të këtij ligji”. Në alinenë 4 caktohet edhe obligimi se: “Në urdhërin do të ceket se në bazë të cilave fakte bëhet ekspertiza dhe kujt i besohet”.
Protestojmë kundër sjelljes arbitrare dhe veprimeve të paligjshme të policisë dhe kërkojmë që prokuroria publike të prononcohet se a ka dhënë ndonjë prokuror urdhër për ekspertizë. Në rast se një urdhër i tillë ekziston kërkojmë që autoritetet të tregojnë se në çfarë rrethanash është dhënë një urdhër i tillë, gjë që është obligim ligjor”, thuhet në reagimin e CIVIL.