Parlamenti i Greqisë ka miratuar paketën e shpëtimit duke i dhënë kështu kryeministri Aleksis Cipras mbështetjen për planin e reformave ekonomike dhe të drejtën ligjore që të negociojë për të arritur një marrëveshje me bazë propozimet greke, që synojnë t’i japin fund krizës së borxhit. Pavarësisht mbështetjes së Parlamentit për masat, Cipras u përball me një rebelim në partinë e tij që mund të kërcënojë shumicën në Parlament. Masat u miratuan me mbështetjen e partive opozitare pro-evropiane.

Me bankat ende të mbyllura dhe krejtësisht të varura nga një Banka Qendrore Evropiane, masat janë parë si shansi i fundit për të shmangur kolapsin e sistemit financiar dhe për të parandaluar një dalje të Greqisë nga Eurozona. Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro.

Kryeministri Aleksis Cipras në fjalimin e tij prekës, pranoi se janë bërë gabime, por duhet të evitohet përshkallëzimi i situatës.

“Gjashtë muaj po zhvillojmë luftë, kishim beteja të rënda, kishim humbje të mëdha, por ia dolëm të fitojmë territor. Por, prej tash e tutje jemi në fushë me minë dhe s’mundem këtë ta injoroj dhe ta fsheh nga populli grek”, theksoi Cipras.