Trajanovi kërkon seancë kuvendore për situatën aktuale në vend

-

Deputeti dhe kryetar i Lidhjes Demokratike  Pavle Trajanov kërkoi nga kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski të caktojë seancë kuvendore në të cilën do të diskutohet për gjendjen aktuale politike në shtet.

“Muajin e fundit janë prezantuar shumë informacione, audio dhe video incizime, si dhe materiale të tjera për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe për përdorimin (keqpërdorimin) e sistemeve për përgjime dhe të ngjashme. E gjithë ajo në masë të madhe kontribuoi që gjendjet e tërësishme dhe ato politike  në Republikën e Maqedonisë të hyjnë në krizë të thellë politike,  e cila ka reflektim negativ ndaj funksionimit të Qeverisë, ministrive, si dhe krijimin e mosbesimit  në institucionet dhe organet e tjera shtetërore, Prokurorinë Publike, Gjykatën dhe të ngjashme”, thuhet në letrën e dërguar deri te Veljanoski.

Sipas Trajanovit, përmes prezantimit publik të regjistrimeve audio, disa ministrave dhe funksionarëve seriozisht u është prishur kreibiliteti dhe integriteti për shkak të informatave të nxjerrura për “përfshirjen” e tyre në shkeljen e rregullave zgjedhore, ndikimin ndaj institucioneve gjyqësore, mediave, biznesmenëve…

“Veçanërisht shqetëson fakti që kohëve të fundit publikohen regjistrime video nga masat hulumtuese të veçanta të ndërmarra (MHV), ndërsa mungesa e reagimit të organeve shtetërore kompetente krijon supozim të themeluar se ato i publikojnë, derisa në pres konferencat  publikohen biseda private  me të cilat në masë të madhe është prishur privatësia e qytetarëve”, thotë Trajanov.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, citohet në letër, ka obligim ligjor të diskutojë për MHV-të e ndërmarra dhe shtohet se Prokurori publik  duhet deri te Kuvendi  të dorëzojë raport për MHV-në e ndërmarrë vitin paraprak. Trajanov kërkoi të bëhen përpjekje të formohen edhe komisione kuvendore  për kontroll mbi punën e DSK-së dhe Agjencisë për zbulim dhe Komisioni për kontroll mbi zbatimin e masave  të veçanta hulumtuese, të cilat tani nuk funksionojnë për shkak të mungesës së deputetëve të LSDM-së dhe nga partitë tjera opozitare.

“Jemi dëshmitarë në luftën politike të veçantë mes partive politike, në të cilën shfrytëzohen të gjitha “armët” e mundshme. Megjithatë, veçanërisht shqetëson gjendja me mediat, në të cilën, disa prej tyre, me përjashtim janë drejtuar kah aktivitetet psikologjike-proaganduese në funksion të manipulimit ndaj qytetarëve. E vërteta rëndë arrin deri te opinioni, ndërsa si rezultat i asaj,  mbisundon konfuzion total,  pasiguri dhe mosbesim në institucionet shtetërore, veçanërisht në punën e organeve gjyqësore”; thuhet në letër. Ai propozon që Veljanoski të bëjë  gjithçka që është në fuqinë e tij të përfshihen në punën e Kuvendit dhe deputetëve  të LSDM-së dhe partive tjera opozitare.

“Thellë jam i bindur se vetëm me dialog politik dhe me debat të hapur, transparent dhe të përmbajtur, Kuvendi mundet dhe duhet në mënyrë aktive të ndikojë në qetësimin e tensioneve të përhershme politike, në sigurimin e kushteve për funksionim të institucioneve dhe në zhvillimin normal të jetës së qytetarëve”, thekson Trajanov në letrën dërguar kryetarit të Kuvendit.