Tito Petkovski: Protesta masovike për ndërrimin e pushtetit  

-

Përmes konceptit dhe strategjisë së veçantë, PRSD propozon dalje nga kriza në të cilën gjendet Maqedonia, tha para të pranishmëve në tribunën publike në Tetovë lideri i kësaj partie, Tito Petkovski. Ai konsideron se si parti ndjejnë nevojë të marrin pjesë në zgjidhjen e krizës politike ndërsa presin edhe përfshirjen edhe të partive tjera.

“Konsiderojmë se opozita është e diskriminuar nga ajo e hënë e zezë dhe e përjashtuar nga jeta politike. Është përjashtuar demokracia, kemi regjim dhe diktaturë autoritare ndërsa jeta politike në shtet formulohet vetëm nga një person. Për këtë ndjejmë përgjegjësi se duhet të kontribuojmë për daljen nga kjo gjendje kaotike. Dorëheqje nga qeveria, prokurori publik dhe presidenti i shtetit, janë vetëm një pjesë e propozimeve tona për dalje nga kriza”, tha lideri Petkovski.

Petkovski përmendi edhe “bombat” e opozitës ndërsa u prononcua edhe për hapat e mëtutjeshëm me qëllim të ndryshimit të Qeverisë.

“Edhe në shtetin tonë, por edhe në rajon, njihen vetëm disa metoda për ndryshimin e Qeverisë. Metoda e parë është në rrjedhë e sipër gjegjësisht publikimi i gjërave të pistë që i ka bërë pushteti në periudhën e kaluar. Nëse me këto biseda komprometuese nuk tërhiqet qeveria, atëherë me siguri kah fundi i këtij apo fillimi i muajit të ardhshëm, do të vijojnë protesta masovike, me qëllim qeveria e Gruevskit të bie”, deklaroi Petkovski.