Mbeturinat nga orenditë shtëpiake, sanitaritë e ndryshe, materialeve ndërtimore, degëve të pemëve dhe mbeturina të ngjashme, prej tani e tutje, qytetarët e Komunës së Tetovës do të mundin t’i hedhin në stacionin e ngarkim shkarkimit në rrugën Tetovë – Trebosh, njofton Portalb.mk.

Nëpërmjet një njoftimi, NPK Tetova, u bën apel qytetarëve që të mos i hedhin mbeturinat e këtilla gjithandej, pasi që përveç ndotjes së ambientit, të njëjtat i dëmtojnë edhe makineritë dhe pamundësojnë pastrimin e mbeturinave të tjera.

“Ndërmarrja Publike Komunale “TETOVA” Tetovë u bën thirrje qytetarëve që të kenë më shumë kujdes dhe të mos i hedhin mbeturinat e ngurta (orenditë shtëpiake, sanitaritë e ndryshme, materialet ndërtimore, degët nga pemët etj.) në vendet ku hedhja e tyre është e ndaluar sepse përveç se ndotjes së ambientit, të njëjtat shkaktojnë defekte në makineri, i dëmtojnë kontejnerët dhe pamundësojnë bartjen e mbeturinave tjera”, thonë nga NPK Tetova.

Çdo qytetar që ka ankesa për papastërtinë në Tetovë, mund të paraqet në numrin fiks të telefonit 044 331 167. Rikujtojmë qytetarët gjithashtu se sipas ligjit për pastërti publike, çdo person fizik nëse kapet duke hedhur, leckë, shpuzë cigaresh, apo të ngjashme do të gjobitet me 50 euro, ndërkaq nëse kapet duke hedhur materiale ndërtimore, parashihet gjobë prej 150 deri në 200 euro.