Në mënyrë intensive punohet në riparimin e njërit bllok të shtëpisë së studentëve “Goce Dellçev”.

“Meta” ishte në shtëpinë e studentëve që të sheh se si po zhvillohet riparimi i objektit prej ku dolën pamje rrëqethëse nëpër mediumet e huaja. Për momentin situata është si në vijim:

Kati i 13 dhe 14 janë thuajse të përfunduara ndërsa në katet e parë po punohet në mënyrë intensive. Në katet e mësipërm muret janë suvatuar, dyshemeja është në përfundim e sipër ndërsa pllakat janë ngjitur. Në katet e mëposhtëm edhe më tej është duke u instalua rrjeti dhe po vendoset ngrohja qendrore ndërsa muret presin suvatimin. Në përdhes dhe katet e parë ende nuk është vendosur gips- kartoni i mureve ndërsa instalimi është para përfundimit. Pas përfundimit të riparimit, objekti pritet të ketë instalim tërësisht të ri, ngrohje tjetër qendrore dhe rrjet të ri të ujësjellësit. Tërësisht do të ndërrohen dyert dhe dritaret ndërsa gjithashtu do të ndërrohen edhe dy ashensorët.

Mjeshtërit që i takuam thonë se deri në maj duhet të përfundoj i tërë riparimi, andaj për këtë punojnë me avaz të shpejtë, madje edhe gjatë fundjavave.

“Punojmë në mënyrë intensive sepse duhet ta përfundojmë objektin sa më herët. Punojmë çdo ditë, madje edhe për fundjavë. Tani për festën e Pashkëve do të pushojmë pak, por më pas sërish vazhdojmë me punë intensive. Para se të fillojmë me riparim, objekti ishte i rrënuar thuajse tërësisht, pa kushte elementare për jetesë- thotë njëri nga mjeshtërit.

Pasi në gazetën britanike “Indipendent” u publikuan fotografi nga gjendja e rrënuar e shtëpisë së studentëve “Goce Dellçev” në Shkup, Ministria e arsimit dhe shkencës vendosi gradualisht t’i riparoj katër blloqet. Për momentin në proces e sipër është riparimi i bllokut të parë B që filloi në tetor të vitit të kaluar. Edhe pse afati i përfundimit të ndërtimeve ishte  marsi i këtij viti, punimet edhe më tej po zhvillohen ndërsa studentët që kanë jetuar në këtë bllok janë shpërndarë nëpër blloqet tjera.

Punimet ndërtimore i kryen kompania “Via” nga Vevçani dhe sipas sistemit elektronik për furnizime publike, marrëveshja mes Ministrisë së arsimit dhe kompanisë “Via” kushton 76.397.375 denarë gjegjësisht 1,2 milion euro. Marrëveshja është lidhur më 6 gusht të vitit 2014. E njëjta kompani para disa viteve ndërtoi një pjesë të spitalit të përgjithshëm në Ohër. Atëherë kryetari i komitetit komunal të LSDM-së në Ohër, Naume Jovanovski akuzoi për nepotizëm duke deklaruar se “Via” është kompania e babait të bashkëshortes të ish deputetit të VMRO DPMNE-së, Aleksandar Spasenovski.

Në programin e VMRO DPMNE-së “E verifikuar” qëndron se deri vitin 2016 e tërë shtëpia studentore duhet të riparohet tërësisht.

“Do të vazhdojmë me ndërtimin dhe riparimin e kapaciteteve akomoduese të studentëve. Deri tani tërësisht është riparuar një pjesë e kompleksit studentor “Stiv Naumov”, me ndërtimin e tetë pavilonëve tërësisht të ri për akomodimin e studentëve në vend të barakave të vjetra dhe gjithashtu janë riparuar dy ndërtesat e meshkujve. Në periudhën e ardhshme, është planifikuar riparimi i tërësishëm i shtëpisë studentore “Goce Dellçev” në Shkup. Riparimi i kësaj shtëpie do të jetë në faza për përfundim të plotë në vitin 2016. Buxhet: 400-500 milion denarë”, thuhet në program.