Çfarë pajisje ka marrë MPB nga Izraeli në vitin 2011 për të cilën flitet në audio regjistrimet që i publikoi lideri i opozitës, Zoran Zaev? Përveç konfirmimeve si nga njëra ashtu edhe nga pala tjetër, për këtë ende nuk ka dokument zyrtar se për çfarë më saktë bëhet fjalë.

Zoran Zaev dhe LSDM qëndrojnë edhe më tej në qëndrimin se bëhet fjalë për furnizim me pajisje për përgjim dhe se për këtë drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov ka marrë provizion prej thuajse 1 milion euro.

Ndërsa shefi i policisë sekrete dhe MPB, nga ana tjetër, këtë e demantojnë dhe thonë se bëhet fjalë për donacion nga “shërbimet mike, në lartësi prej 5.557.377 euro, që është shfrytëzuar për blerjen e pajisjes për njësitin special të policisë me të cilën është ngritur gatishmëria e tyre luftarake.

Megjithatë, as nga MPB nuk ka informata se për çfarë pajisje bëhet fjalë sepse biznesi është bërë nën nivelin e klasifikimit “sekret shtetërorë”.

Maqedonia dhe Izraeli ndër vite kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim partneriteti, prej të cilave një pjesë është e njohur për opinionin ndërsa për një pjesë ka vetëm supozime dhe spekulime.

Bashkëpunimi në shumicën e rasteve kishte të bëjë me furnizimin me pajisje ushtarake ndërsa si subjekt nga pala izraelite të shpeshtën paraqitet kompania “Elbit”.

 

  • viti 2003 – Ministri e mbrojtjes së Maqedonia dhe “Elbit” lidhën kontratë për modernizimin e disa helikopterëve të llojit “MI-17” dhe “MI-24”.
  • viti 2008 – Ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministri izraelit i mbrojtjes, Ehud Barak në Tel Aviv firmosën kontratë “për thellimin e bashkëpunimit mes dy ministrive në fushën e sigurisë, këmbimit të informatave dhe teknologjisë”
  • viti 2011 – Ministria e mbrojtjes dhe kompania “Elbit Systems” firmosën kontratë për Qendër moderne për trajnimin e pilotëve për nevojat e ARM-së, MPB-së dhe institucioneve tjera, në vlerë prej 43 milion euro. Siç u tha atëherë, Ministria e mbrojtjes për projektin do të ndaj 5,3 milion euro në vit në 8 vitet e ardhshëm. Ndërsa pjesën që e mbulon kompania izraelite, siç theksoi ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Zoran Konjanovski, sipas marrëveshjes është klasifikuar si sekret shtetërorë.
  • viti 2009 – 2010 – Njësiti special policor i MPB (Njësiti për intervenim të shpejtë ) si pjesë të pajisjes së saj e ka pushkën e sofistikuar izraelite“Tavor TAR 21”, sipas njohësve, “perla e teknologjisë ushtarake izraelite”. Prodhues i armës është “Israeli military industries” (IMI). Informatë zyrtare për furnizimin e automatikut, sa copë janë porositur, çfarë çmimi është paguar për to dhe kur është kryer porosia, nga MPB nuk ka.
  • viti 2010 – Konfirmim zyrtar nuk ka, por që prej fillimit të projektit “Qytet i sigurt” gjegjësisht vendosjen e kamerave nëpër rrugët e Shkupit, u dëgjuan të dhëna jozyrtare dhe spekulime se në projekt janë përfshirë një kompani izraelite dhe shërbime izraelite.