Gjendja në Maqedoni, të cilën disa e quajnë krizë politike, shkaktoi vërshim të kallëzimeve penale në veçanti kundër politikanëve, figurave publike dhe gazetarëve. Në një vend të vogël siç jemi ne, duket se për momentin secili padit secilin dhe secili ngrit kundër secilit kallëzim penal.
Për më pak se 3 muaj, prej 31 janarit e deri më sot, kallëzime penale kanë ngritur ose kundër tyre janë ngritur: Zoran Zaev. Sasho Mijalkov, Goran Gruevski, Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska, Mile Janakieski, Martin Protugjer, Toni Trajkovski, Stevo Pendarovski, Tito Petkovski, Radmilla Sheqerinska, Andrej Zhernovski, Oliver Spasovski, Ivo Nikollov- Saçavaliev, Vladimir Tasevski, Vasko Kovaçevski, Zoran Stavrevski, Nikolla Todorov, Maja Parnaxhieva- Zmejkovska, Xhemali Mehazi.
Gjithsej janë 22 lëndë për gazetarë të paditur.
Në paralajmërim ka kallëzime për apo kundër Ivo Kotevskit, Goran Trajkovskit, Samka Ibrahimovskit, Artan Grubit, Stojançe Angellovit dhe Goran Petreskit.
Avokati Filip Medarski thotë se në historinë më të re të Evropës nuk ka shembull të tillë siç është situata tek ne.
-Ky vërshim i padive, faktikisht, dëshmon se kemi dobësi në sistem. Gjegjësisht tregon, për çfarë kemi dëshmi të fuqishme, se institucionet nuk funksionojnë. Mendoj se Prokuroria vështirë se mund të menaxhoj tërë këtë situatë. Skandale të këtilla për të cilat janë ngritur numër i madh i padive ka edhe në shtete tjera. Por, është dëshmuar se shtetet tjera kanë kapacitet të zgjidhin raste të tilla, si për shembull, Italia dhe lufta e saj ma mafinë- thotë Medarski.
Numri në rritje i padive penale do të thotë se është rritur numri i krimit në shtet, thotë Gordan Kallajxhiev, profesori i të së drejtës penale- procedurale në Fakultetin juridik “Justiniani i Parë”.
-Prokuroria nuk ka kapacitet që të menaxhojë me gjithë këto padi penale. Shtetet normale demokratike nuk kanë skandale të këtilla sepse ata kanë sistem të ndarjes së pushtetit (check and balances) ndërsa Maqedonia nuk ka- deklaroi Kallajxhiev.
Në Shoqatën e gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) thonë se të shpeshtën gazetarët paditin gazetarët.
-Në periudhën prej tetorit deri në dhjetor të vitit 2014, nga dy persona të autorizuar të SHGM-së janë ndjekur 22 lëndë për raste gjyqësore ku janë paditur gazetarë për shpifje dhe ofendim, në gjithsej 32 seanca për debate të mbajtura. Pozitive është ajo që tre nga këto lëndë gjyqësore janë refuzuar nga gjykata si të pabaza, me çka numri i gazetarëve të paditur për këtë vepra, përfshirë dhjetorin, është 19. Të shpeshtën paditësit janë gazetarë. Prej 19 rasteve, përfshirë edhe dhjetorin, 11 janë gazetarë kundër gazetarë. Përderisa shpifja dhe ofendimi ishin pjesë e Kodit penal kishte mbi 300 raste të gazetarëve të paditur. ShGM në vazhdimësi ndjek të gjitha rastet gjyqësore ku ka gazetarë të paditur për shpifje dhe ofendim dhe së shpejti do të përgatitet edhe raport për këtë proces- thotë Dragan Sekullovski, drejtori ekzekutiv i ShGM-së.