Putin nuk kushtëzon ndaljen e luftës në Ukrainë me “kokën e Faucit”

-

Pretendimi: Rusia po kërkon ekstradimin e Anthony Faucit si pjesë e paqes me Ukrainën

Verdikti: E paprovuar

Në rrjete sociale po qarkullon një pretendim që bashkon besimet e një numër grupesh të ndryshme konspiracioniste duke përfshirë presidentin rus Putin, ‘vraksinën’ kundër Covid-19, luftën në Ukrainë dhe figurën e shumë urryer të këshilltarit kryesor mjekësor të presidentit amerikan Biden gjatë viteve të pandemisë, Anthony Fauci.

Postimet e mësipërme pretendojnë, pa ofruar ndonjë provë, se, si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, presidenti rus Putin ka kërkuar ekstradimin e Fauci për t’u gjykuar për “krime kundër njerëzimit” për politikat e ndjekura gjatë pandemisë Covid-19.

Duket se zanafillën ky pretendim e ka në një artikull të portalit amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Ky lajm është publikuar në ditët kur presidenti në largim Joe Biden firmosi ditën e fundit në detyrë amnistimin e Faucit dhe disa personave të tjerë të afërt nga përgjegjësia penale. Kjo u argumentua si një mundësi për të evituar ndjekjen hakmarrëse të motivuar politikisht.

Ndërkohë, Anthony Fauci nuk ka kryer ndonjë krim në Rusi. Fauci ka qenë shkencëtar dhe nëpunës civil i qeverisë amerikane gjatë gjithë jetës. Gjatë pandemisë Covid-19, ai ishte pjesë e Task Forcës për Covid-19 të Shtëpisë së Bardhë nën administratën Trump. Gjithçka që ai ka bërë është në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka asnjë lidhje me Rusinë.

Nuk ka asgjë që Fauci ka bërë deri më tani që do të përbënte një krim në Rusi ose kundër Rusisë. Rusia nuk ka ngritur asnjë akuzë kundër Dr. Anthony Fauci. Pra, nuk ka asnjë arsye që Rusia, ose Vladimir Putin, të dëshirojnë ta ekstradojnë atë, edhe nëse do të ishte e mundur.

Nëse Putin do të kishte bërë një kërkesë ekstradimi, burime të besueshme lajmesh në Rusi ose në Shtetet e Bashkuara do ta kishin raportuar. Kjo nuk ka ndodhur. Nëse Rusia do të donte të ekstradonte Faucin, duhet të paraqiste një Njoftim Flamuri të Kuq në Interpol. As kjo nuk ka ndodhur.

Ç’është më e rëndësishme, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kanë marrëveshje ekstradimi me njëra-tjetrën. Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Shtetet e Bashkuara në përgjithësi nuk ekstradojnë pa marrëveshje ekstradimi.

Pra, Rusia nuk mund të kërkojë ekstradimin e asnjë shtetasi amerikan, përfshi Dr. Anthony Fauci.

ИзворFaktoje.al

Plani i Rritjes i BE-së dhe RMV-ja, intervistë me Steffen Hudolin për reformat dhe financimin: Fondet transferohen pas zbatimit të reformave

750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për reforma janë të planifikuara për Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, në opinionin publik kishte shumë paqartësi se për çfarë dhe si do...

Nuk ka asnjë provë që Putin ka origjinë nga Kosova

Mediat shqiptare që shpërndanë lajmin nuk kanë dhënë prova të verifikueshme për këtë pretendim Nga Barbara Halla – Ditët e fundit, në shumë media shqiptare ka qarkulluar një artikull ku pretendohet se Presidenti rus, Vladimir Putin, e...

Qasja e përbashkët dhe komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit

Ndërtimi i urave të bashkëpunimit. Shkëmbimi i mësimeve nga përvojat e ndryshme me lajmet e rreme dashakeqe. Krijimi i platformave strategjike. Domosdoshmëria e të vepruarit në mënyrë strategjike. Janë disa nga...

Deklaratat e Vuçiç për Dodik përcjellin narrativat anti-Perëndimore të Serbisë

Barbara Halla- Më 6 mars, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç priti në Beograd, Milorad Dodik, Presidentin e Republikës Srpska, për të diskutuar situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pas takimit, Vuçiç dha një deklaratë ku e...