Disa persona janë të dyshuar për rastin e vdekjes së Tamarës së vogël nga Velesi, njoftojn nga Prokuroria themelore publike- Shkup.
“Nga veprimet e ndërmarra del se si të dyshuar paraqiten më shumë persona për veprën penale punë të papërgjegjshme në detyrë pune nga neni 353 të Kodit penal. Si të dyshuar, personat thirren të deklarohen para prokurorit kompetent publik. Hetimi vazhdon në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aktivistë civil dhe OJQ nesër më ora 12 para Prokurorisë publike në Shkup do të protestojnë me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Tamarës.
Tamara e vogël nga Velesi e cila kishte deformimet serioz në boshtin kurrizor, ndërroi jetë më 9 shkurt vitin e kaluar, duke pritur vendim për operacionin e shtatë të saj.
Dy muaj e gjysmë prindërit e Tamarës pritnin të mbarojnë procedurat burokratike rreth dërgimit të vajzës për operacion jashtë shtetit. Më pas, Fondi i shëndetësisë priste dokument zyrtar nga Klinika e ortopedisë dhe traumatologjisë gjegjësisht mendim konsiliar.
Më 24 shkurt, 15 ditë nga vdekja e Tamarës, dorëheqje nga postet e tyre dhanë drejtorët e Fondit të sigurimit shëndetësor Maja Parnaxhieva-Zmejkova dhe Xhemali Mehazi.
Për kurimin e Tamarës së vogël nevojiteshin 30.000 euro për operacionin e shtatë jashtë vendit. “Meta” publikoi tekst se me mjetet e karruselit panoramik, që kushton 15,5 milion euro mund të shpëtohen 516 fëmijë si Tamara.