Poposki nesër për vizitë zyrtare në Athinë

Ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikolla Poposki nesër do të arrijë për vizitë pune në Athinë ku do të takohet me homologun e tij grek, Nikos Kozias. Kjo është vizita e dytë e Poposkit në Athinë, pas pjesëmarrjes së tij në takimin joformal të ministrave të BE-së dhe vendeve- kandidate gjatë kryesimit grek në vitin 2014, por vizitë e parë zyrtare si ministër i jashtëm i Maqedonisë.

Në takim pritet të diskutohen tema të shumta të interesit dypalësh si kontesti me emrin, masat për ndërtimin e besimit, që u dakorduan mes dy palëve në vizitën e Kozias në Shkup këtë verë si dhe kriza aktuale me refugjatët.

Të dy ministrat, siç njoftojnë nga MPJ-ja greke do të kenë takim sy më sy ndërsa më pas do të zhvillohen bisedimet me përbërje më të gjerë me pjesëmarrjen e të dy ministrive.

Vizita e Poposkit vjen në kohë kur vërehet lëvizje e vogël nga të dyja palët në drejtim të intensifikimit të bisedimeve për të gjetur zgjidhje për emrin dhe informacione për propozime të reja potenciale greke në bisedime.