Plani i Rritjes i BE-së dhe RMV-ja, intervistë me Steffen Hudolin për reformat dhe financimin: Fondet transferohen pas zbatimit të reformave

-

750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për reforma janë të planifikuara për Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, në opinionin publik kishte shumë paqartësi se për çfarë dhe si do të përdoren këto fonde. Për të sqaruar shumë nga këto dilema, Portalb.mk foli me Steffen Hudolin, shefin e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut. Hudolin shpjegoi strategjinë pas mbështetjes financiare, rolin kritik të agjendës së reformave dhe se si BE po siguron që qytetarët të fillojnë të ndiejnë përfitimet e integrimit para anëtarësimit formal. Ndër të tjera, ai deklaroi se fondet sipas Planit të Rritjes transferohen pasi të zbatohen reformat, jo para. 

Intervistoi: Fisnik Xhelili 

Portalb.mk: Para dy viteve Komisioni Evropian lançoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, na tregoni më shumë rreth tij? 

Steffen Hudolin: Në maj 2023, Komisioni Evropian lançoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një iniciativë që do t’i afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh se zgjerimi është prioritet kryesor për këtë Komision Evropian, Plani i Rritjes u lançua si një instrument që do të ndihmojë në transformimin e shoqërive të Ballkanit Perëndimor dhe do të krijojë përfitime reale për njerëzit, jo vetëm pas anëtarësimit në BE, por edhe tani. 

Do të doja të theksoja këtu se Plani i Rritjes nuk është një zëvendësim për anëtarësimin në BE. Është një sinjal i angazhimit tonë. Ne duam që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të ndiejnë përfitimet e integrimit në BE sot, jo dikur . 

Duke folur për procesin që secili vend të përfitonte nga Plani i Rritjes, ata duhej të përgatitnin një Agjendë Reformash e cila është një udhërrëfyes për transformim në përputhje me reformat kryesore të përcaktuara në marrëveshje me Komisionin Evropian. 

Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë që paraqiti Agjendën e saj të Reformave, e cila u miratua më 23 tetor 2024 me një vendim të Komisionit Evropian, pas një opinioni pozitiv të ahteteve anëtare. Pas vlerësimit pozitiv, Maqedonia e Veriut ishte gjithashtu vendi i parë që mori parafinancim. 

Portalb.mk: Çfarë do të thotë parafinancimi dhe financimi në praktikë? 

Steffen Hudolin: Parafinancimi është mbështetja fillestare që Komisioni Evropian ofron për të ndihmuar reformat e parashikuara me Agjendën Reforumese. Për Maqedoninë e Veriut, parafinancimi arriti në 52.5 milionë euro, afërsisht 7% e totalit të alokimit të vendit, që është 750 milionë euro. 

Pagesat e ardhshme lidhen me alokimin e duhur dhe mund të absorbohen pas zbatimit të plotë të hapave të parashikuar nga Agjenda e Reformave. Në përputhje me orarin e planifikuar të financimit, paratë do të transferohen në Ministrinë e Financave. 

Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Portalb.mk: Sa para ka marrë Maqedonia e Veriut nga Plani i Rritjes deri më tani? 

Steffen Hudolin: Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka marrë parafinancimin prej 24.4 milionë eurosh që u transferua në Thesarin Kombëtar (buxheti i shtetit) në mars 2025. Fondet e mbetura prej 28.1 milionë eurosh do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe do të përdoren për të mbështetur projekte konkrete të infrastrukturës. 

Portalb.mk: A mund të shpjegoni më hollësisht se çfarë nënkuptojnë këto fonde në praktikë, për çfarë do të përdoren: mbështetja buxhetore, grantet dhe kreditë? 

Steffen Hudolin: Formula për ndarjen e fondeve në kuadër të Planit të Rritjes është e njëjtë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Fondet po transferohen si në formën e granteve ashtu edhe të kredive, në përputhje me vendimin e Komisionit Evropian. 

Kjo është se 1/3 e totalit të fondeve ofrohen në formën e granteve të pakthyeshme dhe 2/3 janë kredi të favorshme. Të gjitha këto fonde janë ndarë për mbështetjen e reformave kryesore të dakordësuara me Komisionin Evropian, të ndara në pesë fusha strategjike të politikave: Qeverisja – duke u përqendruar në administratën publike dhe financat publike, mjedisi i biznesit dhe zhvillimi i sektorit privat, tranzicionet e gjelbra dhe digjitale, investimet në kapitalin njerëzor dhe forcimi i sundimit të ligjit dhe themeleve. 

Përveç reformave, të cilat do të mbështeten me kredi përmes thesarit kombëtar, pjesa tjetër e fondeve, kombinim i granteve dhe kredive, do të zbatohet përmes WBIF-it. 

Portalb.mk: A mund të na jepni shifra konkrete se sa para do të përdoren për secilën fushë? 

Steffen Hudolin: Nëse i shikoni nga afër Shtojcat e Agjendës së Reformave, mund të shihni se ekziston çmim për secilën reformë sipas pesë fushave të politikave. Fondet programohen sipas kompleksitetit të secilit hap.

Për shembull, le të marrim fushën e politikave të qeverisjes ku lista e reformave prek nënfushën menaxhimi i financave publike (PFM) dhe nënfushën reformat e administratës publike (PAR). Nën menaxhimin e financave publike kemi 13 hapa reformash në shumën prej 74.928 milionë eurosh dhe nën reformat e administratës publike kemi 8 hapa reformash në shumën prej 36.394 milionë eurosh. Nënfusha e tranzicionit të energjisë së gjelbër ka kosto prej 145.575 milionë eurosh dhe nënfusha e tranzicionit digjital ka kosto prej 50.309 milionë eurosh, fusha e politikave të kapitalit njerëzor ka kosto prej 83.491 milionë eurosh, fusha e politikave të mjedisit të biznesit dhe zhvillimit të sektorit privat ka një kosto prej 193.743 milionë eurosh dhe hapat e reformave në kuadër të fushës së politikave sundimi i ligjit dhe themelet kanë kosto prej 148.786 milionë eurosh.

Thithja e këtyre fondeve varet nga institucionet përkatëse kombëtare dhe ritmi i tyre i zbatimit të reformave. Është e rëndësishme të theksohet se ekziston edhe periudha ‘grace’ (periudha e mospagimit, kur paratë e marra si kredi janë në dispozicion të huamarrësit, por shlyerja ende nuk ka filluar) njëvjeçare për zbatimin e hapave, në rast se plani fillestar nuk përmbushet. 

Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Portalb.mk: Si transferohen paratë, para apo pas zbatimit të reformave? 

Steffen Hudolin: Fondet sipas Planit të Rritjes transferohen pasi të zbatohen reformat, jo para. Çdo gjashtë muaj vendet mund të kërkojnë pagesa bazuar në hapat e reformave që kanë përfunduar. Pastaj, Komisioni Evropian vlerëson nëse janë përmbushur të gjitha kushtet. Pas vlerësimit pozitiv, fondet lirohen.

Portalb.mk: Si matet suksesi i reformave, veçanërisht në kapitullin ‘themelet’? 

Steffen Hudolin: Ne mbështetemi në tregues të qartë, tregues cilësorë dhe sasiorë që janë rënë dakord bashkërisht, nga Komisioni Evropian dhe vendi partner. Përveç kësaj, kur bëjmë vlerësimin, ne gjithmonë konsultohemi me burimet e verifikimit. Është thelbësore për ne të verifikojmë që këto reforma ndodhin vërtet dhe që ato bëjnë ndryshime në terren.

Plani i Rritjes i BE-së dhe RMV-ja, intervistë me Steffen Hudolin për reformat dhe financimin: Fondet transferohen pas zbatimit të reformave

750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për reforma janë të planifikuara për Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, në opinionin publik kishte shumë paqartësi se për çfarë dhe si do...

Nuk ka asnjë provë që Putin ka origjinë nga Kosova

Mediat shqiptare që shpërndanë lajmin nuk kanë dhënë prova të verifikueshme për këtë pretendim Nga Barbara Halla – Ditët e fundit, në shumë media shqiptare ka qarkulluar një artikull ku pretendohet se Presidenti rus, Vladimir Putin, e...

Qasja e përbashkët dhe komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit

Ndërtimi i urave të bashkëpunimit. Shkëmbimi i mësimeve nga përvojat e ndryshme me lajmet e rreme dashakeqe. Krijimi i platformave strategjike. Domosdoshmëria e të vepruarit në mënyrë strategjike. Janë disa nga...

Deklaratat e Vuçiç për Dodik përcjellin narrativat anti-Perëndimore të Serbisë

Barbara Halla- Më 6 mars, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç priti në Beograd, Milorad Dodik, Presidentin e Republikës Srpska, për të diskutuar situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pas takimit, Vuçiç dha një deklaratë ku e...