Në sagën tonë të Maqedonisë, për çdo ditë kemi situata kur disa gazetarë në vend që ta mbrojnë interesin publik, me një qasje servile dhe apologjetike, e lavdërojnë pushtetin. Kështu, në një ambient të këtillë me vlera të kthyera mbrapsht, publiku sheh – lexon lavde për partinë në pushtet, në vend të intervistave korrekte me distancën e detyrueshme profesionale.
Jemi dëshmitarë se si në konferencat për shtyp të ish-kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, mirëpo edhe ato të ministrave, parashtrohen pyetje të porositura për atë që është realizuar. E ata, funksionarët, përgjigjen – lavdërohen, që lavdërohen, për së gjeri e për së gjati.
Ndërsa, pyetjet “normale”, që kanë të bëjnë me ndonjë problem konkret – ngjarje me interes publik, ose injorohen ose funksionarët edhe në to japin përgjigje me spin, ku detyrimisht e sulmojnë opozitën, sektorin joqeveritar, intelektualët dhe çdo mendim kritik që nuk është në vijë të njëjtë me pushtetin.
Përfaqësuesit e qeverisë aq janë përshtatur me rolin që të përgjigjen vetëm në pyetje që u konvenojnë atyre, sa që reagojnë me nervozë madje edhe atëherë kur u parashtrohen pyetje nga më normalet.
Një reagim të tillë kishte, për shembull, ministri për shëndetësi, Nikolla Todorov kur në mars të këtij viti e pyetën për rrezikun nga epidemia e sëmundjeve ngjitëse te refugjatët në Tabanoc dhe për përgjegjësinë e institucioneve për vdekjen e Tamarës së vogël. Todorovi, atëherë pak i ngatërroi tenxheret dhe pyetjet normale të gazetarëve i futi në kategorinë e pyetjeve të porositura dhe tha se në fillim do të përgjigjet në ”pyetjet e gazetarëve, e pastaj në pyetjet e porositura”!
Ndonjëherë me porositë e pushtetit ka edhe situata komike, sikurse ajo për zgjedhjet lokale në vitin 2013, kur gazetarja e një televizioni me koncesion, pyetjet e përgatitura për kryetarin e komunës Qendër (në atë kohë kandidat) Andrej Zhernovski, ia parashtroi Andrej Petrovit, kandidat i atëhershëm për kryetar të komunës së Karposhit!