Serbia, Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Zvicra si dhe Maqedonia, duhet të lëshojnë leje të reja për transport ndërkombëtar dhe eksport të materieve të rrezikshme, që kimikatet nga OHIS të arrijnë te inseneratori në Zvicër. Njoftimi paraprak ka skaduar para përfundimit të projektit “Mënjanim, dislokim, shkatërrim apo neutralizim i materieve kimike” nga SHA “Ohis” Shkup, për shkak të pandemisë me koronavirusin dhe të mbylljes së kufijve në Evropë.
Më 15 mars ishte paraparë të realizohet edhe dërgesa e fundit për në Zvicër me pjesën tjetër prej rreth dhjetë tonë kimikate toksike. Bëhet fjalë për 4,6 tonë iniciatorë dhe 5,2 tonë kimikate të panjohura të cilat tanimë janë të paketuara në ADR fuçi dhe mbahen në magazinat e OHIS-it të gatshme për transport. Para se të fillojë pandemia e Kovid-19, kompania “Ekocentar 97”, e cila ka për obligim të eksportojë 11 kimikate për shkatërrim të sigurt, ka eksportuar pothuaj 64 tonë kimikate të rrezikshme. Në to ka pasur metanol, akrilonitril monomer, por edhe kimikate të panjohura dhe ato janë shkatërruar në “Vallorek Servisis” inseneratori në Bazel. Në prill të vitit të kaluar janë sanuar edhe 81 fuçi dhe një kontejner nën presion me klor. Ato janë dërguar në kompani të specializuar në Serbi ku është bërë sanim i ventileve të dëmtuara, ndërsa klori që është nxjerrë nga enët me proces të de-gazifikimit dhe është trajtuar në mënyrë përkatëse. Enët janë pastruar nga klori dhe janë kthyer në OHIS. Ngelin 14 ton të fundit nga vinil klorid monomeri i rrezikshëm për eksport, që do të shkatërrohet në insenerator në Gjermani.
Për momentin, “Ekocentar 97” është duke hartuar dokumentacion të ri për rinovim të lejes. Nga aty thonë që bëhet fjalë për dokumentacion vëllimor të cilin duhet ta përgatisin dhe ta aplikojnë në secilin prej shteteve, njofton Meta.
“Transporti është prolonguar për shkak të pandemisë, ashtu që dërgesa e fundit në këtë moment nuk mund të shkon në Zvicër për shkak se ka skaduar leja për transport ndërkombëtar dhe eksport. Për momentin jemi duke e përgatitur aplikacionin dhe të gjitha dokumentet e nevojshme për lëshim të njoftimit të ri. Është duke u punuar për dokumentacion shumë vëllimor për të cilin nevojitet kohë e gjatë për t’u përgatitur”, informojnë nga Ekocentar 97.
Procedura për t’u pajisur me leje për transport ndërkombëtar zgjatë prej tre deri në katër muaj për shkak të asaj që aplikohet në organet kompetente të secilit vend të përfshirë. Që të mund të dalin kimikatet e rrezikshme nga OHIS, leje të reja do të duhet të japin Maqedonia, si vend eksportues, vendet e transitit dhe vendi ku importohen hedhurinat.
“Duke e pasur parasysh situatën globale me COVID-19 dhe faktin që shumica e institucioneve kompetente në vend ende nuk punojnë me orar të plotë, është e mundur të nevojitet më tepër kohë për t’i përfunduar procedurat administrative dhe ky proces mund të zgjatë edhe më tepër”, thonë në “Ekocentar 97”.
Hedhurinat nga e kaluara në OHIS edhe më tej janë bombë e kurdisur e cila paraqet kërcënim për shëndetin e shkupjanëve. Dhe kur të përfundojë eksporti i këtyre 11 kimikateve, në oborrin e kapacitetit të mëhershëm kimik ngelin edhe deponitë e lindanit, si dhe mbetjet prej merkuri në kapacitetin për elektrolizë. Për momentin në rrjedhë është zgjedhja e kompanisë që do ta pastrojë deponinë e vogël me lindan, ndërsa do të ngelin edhe tre, nga të cilat njëra është jashtë oborrit të fabrikës në vendin për piknik Pelenica në Draçevë.