Pas disa provokimeve të vogla mes policisë dhe protestuesve si dhe xhamin e thyer të redaksisë së javores “Republika”, përfundoi protesta e qytetarëve para godinës së Qeverisë.
Nga MPB-ja njoftojnë se në protestën e sotme janë lënduar pesë policë ndërsa është arrestuar një protestues.
Ata me mesazhe të shkruara iu drejtuan kordonit policor i cili siguronte godinën e Qeverisë. Në to shkruante “Nga paratë tona hani bukë dhe sërish neve do të na rrihni”, “Tregojuni fëmijëve në shtëpi sot keni mbrojtur diktaturën në të cilën do të rriten” dhe “Sa gjak duhet të derdhet që të qëndroni në anën e juaj”.
Tërheqja e policisë para godinës së Qeverisë u përshëndet me duartrokitje.
Protestuesit sot prej para Kuvendit, ku edhe filloi protesta, u nisën drejt stacionit policor “Beko” ku gjenden 13 të arrestuarit nga protestat e djeshme.
Në protestën para Kuvendit, 82 organizata civile kërkuan anulimin e zgjedhjeve të 5 qershorit, angazhim të qeverisë teknike që do të krijoj kushtet për zgjedhje demokratike si dhe ndarjen e shtetit nga partitë, media të lira dhe aktakuzë për secilin që ka kryer krim.