Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Avio Orav, gjatë një konference të mbajtur sot për IPA fondet ka thënë se më 19 mars do të dalin me vlerësimin e procesit nëse Maqedonia do të jetë e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 24 prill, ose jo.

I pyetur nëse të premten për vizitë do të arrijë komisari për zgjerim Johanes Han, ai deklaroi se sot s’mund të konfirmoj asgjë.

Ai shtoi se ka shumë vonesa në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos.

“Nga njëra anë 24 prilli është datë për zgjedhjet e parakohshme, por nga ana tjetër ka vonesa në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Kështu që, të gjitha palët kanë të drejtë” deklaroi Orav.

Ai nuk deshi të komentoj çfarë do të ndodh nëse zgjedhjet shtyhen dhe shtoi se çdo gjë është në duart e partive politike. Orav tha se mbështetja ndërkombëtare është këtu nëse partitë e kërkojnë atë.

Zv- kryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi thotë se shtyrja e zgjedhjeve është hipotetike dhe se ai nuk dëshiron të spekuloj çfarë mund të ndodh nëse zgjedhjet anulohen. Besimi shtoi se rekomandimi i tij është që të respektohen marrëveshjet politike për zgjedhje korrekte dhe demokratike.