Komuna e Aerodromit nuk jep të dhënat lidhur me atë se sa paguan në muaj energji elektrike për të ndriçuar kryqin i cili u vendos kohë më parë pranë ndërtesave të mëdha të kompanisë turke Xhevahir Holdings, njofton Portalb.mk, transmeton Meta.mk.

Portalb.mk pas bisedës me përfaqësues të sektorit për informim të kësaj komune, lidhur me këtë çështje, mori përgjigjen se kërkesa duhet të drejtohet në bazë të  Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, dhe e njëjta gjë u bë nga ana e redaksisë Portalb.mk por megjithatë nuk u dhanë informacionet e kërkuara.

Nga Komuna e Aerodromit u përgjigjën se “nuk kanë marrë pyetje konkrete” (?!)

“Ju njoftojmë se lidhur me kërkesën tuaj, për të dhënat se sa paguhet energji elektrike për ndriçimin e kryqit, ju bëjmë me dije se nga sektori për çështje financiare janë përgjigjur se pagesa e energjisë për ndriçimin rrugor vjen e përmbledhur nga më shumë fatura, ose si i thonë fatura grupore dhe për këtë arsye nuk mund të ju japin informacion lidhur me kërkesën tuaj.

Lidhur me atë se sa paguajmë ne në muaj si komunë (pasi që për pagesën e ndriçimit të kryqit një pjesë i ndahet edhe Qytetit të Shkupit), vlerësohet si pyetje jo konkrete dhe nuk mund të jepet informacion.

Objekti në fjalë është ndërtuar nga investitorë privat  dhe i është lënë komunës së Aerodromit për mirëmbajtjen e tij”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Komuna e Aerodromin, nga sektori për qasje në informacione të karakterit publik.