Përfaqësuesja e lartë e SHBA-ve, Viktoria Nuland sot u takua me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski ku dha porosinë që kriza e thellë politike e cila qe disa muaj po mbretëron në këtë vend, të zgjidhet menjëherë.
“Kriza politike e rëndoi punën e liderëve politik këtu, dhe ajo menjëherë duhet që të zgjidhet. SHBA është e kënaqur nga bashkëpunimi me BE-në, në bashkëpunimin midis ambasadorit Bejli dhe eurokomisarit Han, për t`i afruar qëndrimet e liderëve, që Maqedonia ta vazhdoj rrugën që e ka zgjedhur, integrimin euroatlantik ku do të ketë sundim të drejtës, lirisë së medieve, dhe të gjithë punët që janë me rëndësi për shtetin”, theksoi Viktoria Nuland.
Sipas Nuland, zgjidhja e krizës duhet kërkuar në marrëveshjen e dy qershorit.
Sipas kryeministrit Gruevski, marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Maqedonisë janë të shkëlqyeshme dhe kanë bashkëpunim të vazhdueshëm.
“Vlerat euroatlantike janë udhëheqëse edhe në sfidat politike edhe në zgjidhje të problemeve në pajtueshmëri me rendin kushtetues dhe rregullat e demokracisë dhe sundimin e të drejtës”, deklaroi Gruevski.