Zgjedhjet sapo kanë mbaruar, por kjo nuk do të thotë që politikanët nuk po përgatiten tashmë për zgjedhjet e ardhshme. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë qenë në një fushatë të vazhdueshme zgjedhore gjatë dy dekadave të fundit. Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, të cilat përfunduan pikërisht në mesnatë më 31 tetor, mediat e Maqedonisë, edhe një herë, kush e di për të satën herë, hynë në “provimin e pjekurisë” edhe atë nën thjerrën e Komisionit Evropian, OSBE-së, rregullatorëve vendas dhe organizatave të shoqërisë civile. Në letër, vendi përsëri shënoi “përparim të kufizuar”. Në praktikë, skena mediatike mbeti e bllokuar midis varësisë nga paratë shtetërore, një kornize ligjore të pareformuar dhe vetëcensurës së heshtur nga gazetarët si mbrojtje nga qendrat politike dhe ekonomike të fuqisë.

“Korniza ligjore që i rregullon mediat nuk është ende në harmonizuar me Ligjin Evropian për Lirinë e Mediave (EMFA)”, thuhet në  raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025. Në të gjithashtu thuhet se paratë për reklamat shtetërore gjatë zgjedhjeve vazhdojnë të shpërndahen në mënyrë jotransparente, “gjë që e dëmton konkurrencën dhe ruan varësinë e mediave nga qeveria”.

Reforma në letër, status-quo në praktikë

Edhe pse Qeveria ka filluar formalisht procesin e harmonizimit të legjislacionit për mediat me standardet evropiane, kritikat për “pjesshmëri” dhe një “qasje kozmetike” janë të vazhdueshme. Vërejtjet e Komisionit Evropian tingëllojnë si jehonë e disa analizave të brendshme, ku thuhet qartë se ndryshimet e propozuara dhe të miratuara në Ligjin për Mediat nuk i zgjidhin problemet thelbësore.

“Qeveria vendosi ta arnojë ligjin e vjetër në vend që të propozojë një ligj të ri gjithëpërfshirës, edhe pse ai u hartua me ndihmën e ekspertëve të BE-së”, thuhet në vlerësimin e ndryshimeve të fundit në Ligjin për Mediat të publikuar nga Metamorfozis në prill të vitit 2025. Në të theksohet se, megjithëse futja e një regjistri të mediave online mund ta rrisë transparencën, boshllëqet ligjore në fusha të tilla si pavarësia redaktuese, përqendrimi i pronësisë dhe mbrojtja nga mbikëqyrja krijojnë rrezik për “censurë të butë” të mëtejshme.

Që atëherë, u paralajmërua se reklamat shtetërore vazhdojnë të përdoren si një mjet për të shpërblyer “mediat dashamirëse” dhe për të ndëshkuar ato kritike, gjë që krijon një sistem të heshtur varësie. Pikërisht kjo “besnikëri financiare”, siç e quajnë disa ekspertë të mediave, po bëhet arma më e fuqishme e qeverisë për të kontrolluar peizazhin mediatik.

Kësaj i shtohen edhe realitetet e ciklit zgjedhor, i cili, në vend që t’i aktivizojë mekanizmat demokratikë, shpesh i ekspozon pikat më të dobëta të sistemit. Sipas raportit në hije për lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut, mbi 10 milionë euro fonde shtetërore u shpenzuan për reklama të paguara politike gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, gjë që nxiti një shpërthim të mediave të reja online të krijuara pikërisht për të hyrë në atë rreth financiar. Këtë vit shuma nuk është aq e lartë sepse nuk pati zgjedhje të dyfishta, por megjithatë, sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme prej rreth 6,5 milionë eurosh. Numri i mediave online që aplikuan për fonde shtetërore këtë vit është 257, ose 8 më shumë se 249 që aplikuan për zgjedhjet e vitit të kaluar, kur u konstatua se një numër i madh i tyre nuk ishin as funksionale, gjegjësisht ishin formuar vetëm me qëllimin që të marrin një pjesë të parave. Nga ana tjetër, deri këtë verë, vetëm rreth tridhjetë media ose portale online ishin regjistruar zyrtarisht në Regjistrin e sapokrijuar të ASHMAA-së.

“Partitë politike i përdorin fondet shtetërore për fushatat e tyre, ndërsa mediat bëhen të varura nga qendrat politike të fuqisë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në politikën redaktuese” – thuhet në raportin hije.

Pjesa më e madhe e këtyre parave përfundoi te stacionet televizive kombëtare dhe portalet e mediave online të lidhura me partitë e mëdha. Raporti vë në dukje se shtëpitë e mëdha mediatike po lobojnë në mënyrë aktive për të ruajtur sistemin, pasi nëpërmjet tij ato sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre vjetore. Në një mjedis të tillë, “gazetaria me interes publik bëhet luks, ndërsa reklamat politike – burim kryesor i mbijetesës”.

A do t’i vijë fundi monopolit të “katërshes së madhe”?

Nga ana tjetër Raporti i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) për zgjedhjet lokale të vitit 2025 e konfirmon më tej përqendrimin e kapitalit politik në media. Nga gjithsej 562 orët e transmetimit të reklamave politike me pagesë, madje 88 për qind u nda midis katër partive më të mëdha: VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN.

Partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur ishin pothuajse të padukshëm në eter, e disa parti parlamentare, si “Levica” dhe Lëvizja ZNAM, nuk ishin në gjendje të blinin fare hapësirë reklamuese për shkak të kufizimeve në Kodin Zgjedhor. “Kjo do të thotë se shteti i paguan më të mëdhenjtë për të folur me zë më të lartë”, komentojnë shoqatat e mediave. Sidomos duke pasur parasysh që VMRO-DPMNE-ja gjeti një mënyrë për të financuar fushatën mediatike të ZNAM-it, megjithëse është e diskutueshme se sa ndihmoi kjo në rezultatin e tyre zgjedhor duke pasur parasysh se ata mezi fituan një post të kryetarit të komunës, dhe atë të liderit të tyre në Kumanovë. Por, është e pamohueshme se ky veprim i ndihmoi “vëllait të madh” në pushtet. “Levica”, nga ana tjetër, u “ndëshkua” në mënyrë të ligjshme dhe nuk mori asnjë denar nga qeveria për reklamim politik në media. Edhe këtu, është e diskutueshme se sa shumë ndikoi kjo në rezultat, duke pasur parasysh se partitë, veçanërisht “Levica”, derdhën një sasi të madhe fondesh të parregulluara për fushatë në rrjetet sociale. Megjithatë, reklamimi politik në këto platforma mbetet një enigmë ligjore, sepse asnjë institucion apo agjenci shtetërore nuk e mbikëqyr, e lëre më ta rregullojë atë.

OSBE-ja/ODIHR-i në raportin paraprak pas zgjedhjeve, vë në dukje se “formula e papërshtatshme për shpërndarjen e fondeve për reklamat e paguara politike i ka vënë kandidatët e pavarur në pozicion të pabarabartë”, ndërsa financimi shtetëror “e ka mjegulluar vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë”. Sipas tyre, kjo praktikë jo vetëm që e shtrembëron mbulimin mediatik, por edhe minon besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Problemi, thonë ekspertët, nuk është vetëm te paratë, por edhe te ligji, i cili nuk parashikon mekanizma për të parandaluar keqpërdorimet. Ndër aspekte të tjera që nuk i marrin në konsideratë, ndryshimet në Ligj nuk fusin garanci për pavarësinë redaktuese apo mbrojtje nga presionet.

“Ligjit i mungojnë mekanizma të qartë për të mbrojtur gazetarët nga ndërhyrjet arbitrare nga pronarët ose menaxherët, e as nuk ofron garanci ligjore për siguri në vendin e punës” – thuhet në dokument.

Komisioni Evropian gjithashtu vë në dukje se paditë SLAPP (padi që synojnë heshtjen e zërave kritikë) mbeten një problem serioz, ndërsa gjyqësori nuk është i vetëdijshëm për dëmin e tyre. Nga ana tjetër, qeveria nuk ka futur asnjë mekanizëm të vetëm për t’i parandaluar ato.

Si një shembull i padive aktuale SLAPP, qëllimi i të cilave shpesh nuk është të kërkojnë drejtësi, por t’i ndalojnë ose dekurajojnë gazetarët nga hetimi i korrupsionit, është padia kundër IRL nga një biznesmen, ish-zëvendëskryeministër, për dhënien për një storje hulumtuese. BE-ja ka një direktivë krejtësisht të re për raste të tilla, e cila nuk është fare e pranishme në kornizën ligjore lokale.

“Censura e butë” si normalitet i ri

Komisioni thekson më tej se pavarësia financiare e rregullatorit të mediave ASHMAA është përmirësuar, por mënyra se si u zgjodhën anëtarët e Këshillit të ASHMAA-së ka ngritur dyshime në lidhje me transparencën dhe paanshmërinë. Mungojnë rregulla të qarta mbi përqendrimin e pronësisë së mediave, gjë që krijon rrezik për pluralizmin.

“Tregu i reklamave vazhdon të jetë subjekt i manipulimit, reklamat shtetërore shpërndahen pa transparencë të mjaftueshme, gjë që e dëmton konkurrencën dhe ruan varësinë e mediave nga qeveria.” Nga ana tjetër, gazetaret janë shpesh në shënjestër të ngacmimit online dhe dhunës me bazë gjinore, ndërsa institucioneve u mungon një qasje sistematike për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave. Edhe pse në vitin 2025 u miratuan ndryshimet në Ligjin për Mediat dhe u fut një regjistër i mediave online, këto hapa ende nuk sjellin transparencë të vërtetë” – thuhet në raportin e KE-së.

Paralajmërime pothuajse identike u theksuan edhe në Raportin në hije mbi lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut të përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis dhe Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa, i financuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, i cili, ndër të tjera, rekomandon forcimin e pozicionit të organit rregullator ASHMAA si një organ i pavarur, dhe anulimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Këshillit, por edhe refuzimin e ndryshimeve me të cilat u kufizua fuqia e rregullatorit gjatë rinovimit të licencave të televizioneve.

Forma më e rrezikshme e presionit, sipas raporteve të shumta, nuk është ndalimi i plotë, por heshtja financiare dhe institucionale. Redaksitë që nuk janë “në linjë” të njëjtë me rrymat mbizotëruese politike mbeten pa reklama, pa fushata shtetërore, pa qasje në informacion dhe pa përgjigje për pyetjet e tyre. Kjo “censurë e butë”, siç e quan Metamorfozis, krijon një atmosferë të autocensurës dhe gradualisht i shtyp zërat kritikë jashtë rrymës kryesore.

Madje edhe ndryshimet që parashikojnë transparencë në pronësinë e mediave nuk janë të mjaftueshme. “Mungon një mekanizëm për verifikimin dhe sanksionimin e shkeljeve” – thuhet në dokumentin e qëndrimit. Si rezultat i kësaj, publiku edhe më tej nuk mund ta dijë me siguri se kush qëndron pas disa prej markave mediatike që e formësojnë perceptimin publik në baza ditore.

Nga Brukseli në Romë dhe nga Shkupi në Vjenë, të gjitha analizat relevante dërgojnë mesazh të ngjashëm: liria e mediave në Maqedoninë e Veriut nuk rrënohet brenda natës, por humbet gradualisht, përmes kompromiseve të vogla, financave jotransparente dhe indiferencës institucionale.

Në raportin e tij të publikuar pardje, Komisioni Evropian i përsërit të njëjtat rekomandime nga viti i kaluar: harmonizimi me Ligji Evropian për Lirinë e Mediave (EMFA), përmirësimi i pavarësisë së shërbimit publik dhe forcimi i luftës kundër dezinformatave. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të vazhdojë të rishikojë kornizën ligjore, në veçanti duke futur rregulla për transparencë të plotë në pronësinë e mediave dhe shpërndarjen e fondeve publike për reklamat shtetërore, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, si dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, të zbatojë strategjinë për reformën e Transmetuesit Publik, të vazhdojë të adresojë me shpejtësi të gjitha kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe të sigurojë që autorët të sillen para drejtësisë.

Por, siç thuhet në raportin e Metamorfozis, “reformat janë më shumë deklarative sesa detyruese”. Pa afate konkrete dhe vullnet politik, çdo raport pasues do ta përsërisë të njëjtën fjali: “Maqedonia ka bërë përparim të kufizuar.”

Nëse i marrim parasysh edhe sfidat, efektet e të cilave ende nuk kanë ardhur – siç është roli i inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale në një fushë ku mediat ishin sovrane, duket se sfidat do të rriten. Kështu, reformat e kornizës ligjore të mediave, këtu, me këtë ritëm, do të largohen gjithnjë e më shumë nga qëllimi, duke bërë që “përparimi i kufizuar” në thelb të shndërrohet në “regres”.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit “Avokimi Transnacional për Lirinë e Informimit në Ballkanin Perëndimor – ATLIB 2”, i bashkëfinancuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.