Natyra e ndërhyrjes së huaj në shtete po ndryshon rrënjësisht. Laura Jasper, eksperte kryesore për Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Informacionit të Huaj (FIMI) nga Qendra e Hagës për Studime Strategjike (HCSS), në një intervistë për Antidisinfo.net deklaron se kërcënimi më i madh strategjik që paraqet Intelegjenca Artificiale (IA) gjeneruese është shpejtësia, shkalla dhe personalizimi i paparë i fushatave të dezinformimit. Ajo thekson se gjetja e fajtorëve të sulmeve komplekse tani është çështje probabiliteti dhe jo preciziteti, për shkak të kundërshtarëve që përdorin ndërmjetës (proxy) dhe mjete komerciale. Në të gjithë Evropën dhe Indo-Paqësorin, aktorët armiqësorë shfrytëzojnë një dobësi të vetme, të përbashkët: varësinë e lartë nga platformat komerciale të shoqëruara me një mos-besim të madh shoqëror. Për të matur suksesin, Jasper sugjeron që analistët të fokusohen te rezultatet e sjelljes në botën reale që është qëllimi i dezinformimit, në vend të ndjekjes së opinioneve. 

Autore: Elida Zylbeari

Si po e ndryshon rrënjësisht IA gjeneruese lojën për aktorët e huaj? Me fjalë të thjeshta, cili është kërcënimi i vetëm më i madh strategjik që IA paraqet për demokracitë tona tani? 

Thënë shumë thjesht, GenAI paraqet sfida në aspektet e mëposhtme:  

1) shpejtësia me të cilën përhapet dezinformimi, 2) shkalla në të cilën përhapet dhe 3) mënyra se si e lejon “personalizimin” e mesazheve. Kjo do të thotë se bëhet më e lehtë të përshtaten mesazhet në një shkallë të gjerë për audienca të ndryshme që janë cak për aktorët e huaj. 

Kur analizoni një fushatë dezinformimi, sa e vështirë është të thuash në mënyrë përfundimtare: “Ky vend ose ky grup e bëri?” Çfarë informacione ose të dhëna unike u duhen analistëve për të ta fajësuar dikë për një sulm kompleks? 

Laura Jasper, eksperte kryesore për Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Informacionit të Huaj (FIMI) Foto: Antidisinfo.net

Çështja e gjetjes së fajit është më shpesh një çështje probabiliteti sesa një vendim binar/i qartë. Prandaj, ne flasim në terma si “ka gjasa që” në vend që të deklarojmë me 100% siguri se një aktor i caktuar e bëri atë. Kjo ndodh sepse kundërshtarët përdorin gjithnjë e më shumë ndërmjetës, shenja të rremë dhe mjete komerciale (përfshirë GenAI). Është shumë më e realizueshme për një analist të caktojë nivele besimi (p.sh., të ulëta/mesatare/të larta) sesa siguri absolute. Nuk ekziston një mjet ose informacion specifik që do të bëjë magji në identifikimin më të lehtë të protagonistëve. Caktimi i probabiliteteve, publikimi i tyre dhe publikimi i bazës së provave që mbledhin analistët është një lloj formë se si ne mund të ruajmë besueshmërinë dhe gjithashtu të ndërtojmë bazën tonë të njohurive duke e ndarë këtë me palë tjera. 

HCSS studion FIMI-n në të gjithë globin. Cila është dobësia më e rrezikshme e përbashkët që e shihni si në Evropë ashtu edhe në Indo-Paqësor, të cilën aktorët armiqësor po e shfrytëzojnë aktualisht në fushatat e tyre informative? 

Kohët e fundit kemi publikuar këto dy studime që mund t’i shikoni në lidhje me këtë pyetje: https://hcss.nl/report/building-bridges-euro-indo-pacific-cooperation-resilient-fimi-strategies/ dhe https://hcss.nl/report/fimi-in-focus-navigating-information-threats-indo-pacific-europe/ . 

Në këto studime ne theksojmë se dobësitë kryesore të përbashkëta janë: varësia e lartë nga platformat komerciale e kombinuar me thyerje të besimit social (polarizim, besim i ulët institucional). Këto elemente shfrytëzohen në të njëjtën mënyrë në të gjitha rajonet. Më e rrezikshmja është shfrytëzimi i humbjes momentale të besimit shoqëror, gjë që shfrytëzohet dhe zmadhohet nga aktorët e ndryshëm armiqësor. 

Dezinformimi synon të ndryshojë sjelljen, jo vetëm opinionet. Si e matni nëse një fushatë e huaj ka sukses në botën reale? Cilat të dhëna u tregojnë analistëve se një shoqëri është vërtet rezistente? 

Sjellja drejtohet nga opinionet. Për shembull, dikush mund të ketë ndryshuar opinionin e tij, por ky ndryshim nuk është i dukshëm në botën fizike deri në pikën kur sjellja e personit ndryshon për shkak të ndryshimit të opinionit. Për shembull, ata votojnë ndryshe ose shprehin opinionin e tyre në një mënyrë fizike, materiale. Prandaj, si analistë, ne shikojmë ndryshimet e sjelljes pasi mund të shohim ndryshime në opinion, mund ta regjistrojmë atë dhe kështu mund ta masim atë. 

Pyetja kërkon dy grupe të ndryshme matjesh: 1) ndikimin e fushatave FIMI dhe 2) sa mirë një shoqëri mund t’i mbështesë këto fushata. 

Për të dyja pyetjet ka disa faktorë të rëndësishëm për t’u mbajtur mend: Do ta shpjegoj në bazë të një shembulli. Qëllimi i vërtetë i dezinformimit është të ndryshojë sjelljen, kështu që analistët duhet së pari të përcaktojnë gjendjen specifike të sjelljes që duan të matin, për shembull, uljen e pjesëmarrjes së votuesve ose rritjen e pjesëmarrjes në protesta. Matja e suksesit kërkon më pas vija bazë dhe kundërfakte të qarta për të parë nëse sjellja ka ndryshuar në të vërtetë pas një fushate. Analistët i kombinojnë të dhënat sasiore (sondazhet, lëvizshmëria, transaksione ose të dhëna të pjesëmarrjes) me njohuritë cilësore (intervista, grupe fokusi) për të lidhur veprimet e vëzhguara me ekspozimin. Rezistenca e vërtetë shfaqet kur shoqëritë rikuperohen shpejt nga manipulimi i tentuar, kur sjelljet që planifikohen nga armiku nuk materializohen ose rikthehen shpejt në gjendjen e mëparshme. Shkurt, matja efektive fillon duke pasur parasysh qëllimin: përcaktimin, ndjekjen dhe verifikimin e rezultateve të vëzhgueshme të sjelljes në vend të vetëm opinioneve. Kjo përgjigje rrjedh kryesisht nga ky studim që bëmë disa kohë më parë. 

Gazetarja Elida Zylbeari dhe Laura Jasper gjatë intervistës Foto: Antidisinfo.net

Kur ndikimi i huaj bie në një “zonë gri” që do të thotë se është i dëmshëm, por jo rreptësisht i jo-ligjor,  cili është mjeti më efektiv strategjik jo-ligjor që qeveritë duhet të përdorin për ta kundërshtuar atë? 

Do të këshilloja fuqimisht të mos përdorni fjalën “jo-ligjor” pasi kjo sugjeron që po veproni jashtë ligjit. Si e tillë, nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pasi do të sugjeronte që po këshilloj se si të veproni jashtë ligjit. 

Në përgjithësi besoj se këto mjete dhe përgjegjësia nuk duhet t’i lihen vetëm nivelit më të lartë të qeverisë. Forca qëndron në angazhimin e më shumë aktorëve lokalë përtej kufijve për të ndërtuar besim brenda shoqërive. Me lokalë nënkuptoj ndërtuesit e komunitetit, gazetarët investigativë, etj. Pra, besoj se kjo nuk duhet të vijë vetëm nga lart poshtë nga qeveria, por të trajtohet në një nivel më të detajuar në të gjithë shoqërinë.