Në aplikacionin e KSHZ-së për verifikimin e qytetarëve në listën e votuesve, mundësia e vetme aktive për kërkimin e votuesve prej dje është vetëm përmes numrave amë. Dy opsionet shtesë për kërkim, përmes adresës dhe emrit mbiemrit nuk janë më aktiv.

Nga KSHZ për “Meta” thonë se lista zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit është mbyllur dhe për këtë secili individualisht me numrin amë mund të verifikojnë në cilën vendvotim mund të votoj.

“S’mund të kërkohet me emër dhe mbiemër apo adresë pasi lista është mbyllur, kështu që tani secili mund të kërkoj vetëm me numrin amë, apo me fjalë tjera secili individualisht mund të sheh se në cilin vendvotim do të votoj që mos të mund tjetërkush ta bëj atë” thotë zëdhënësja e KSHZ-së, Arijeta Xhemaili.

Para tre ditëve, KSHZ njoftoi se ka pasur probleme teknike me aplikacionin për kontrollimin e qytetarëve në listën zgjedhore. Nga Komisioni atëherë deklaruan se problemet teknike nuk kanë kurrfarë pasoja e as ndikim ndaj listës zgjedhore, organizimit si dhe ndaj zbatimit të votimit për emërimin e deputetëve në Kuvendin e RM-së.

KSHZ listën zgjedhore e mbylli më 28 nëntor kur edhe e caktoi pamjen e fletëvotimit. Atëherë nga Komisioni deklaruan se lista zgjedhore në zgjedhjet e 11 dhjetorit të drejtë vote do të kenë 1.784.416 shtetas të moshës madhore në RM.

KSHZ në muajin mars të këtij viti promovoi aplikacionin e ri për kontrollimin e qytetarëve në listën zgjedhore që përveç numrit amë, qytetarët mund t’i kontrollonin të dhënat me emër mbiemër dhe adresë jetese. Kjo mundësi e aplikacionit zbuloi shumë lëshime dhe parregullsi, dhjetëra qytetarë në një adresë të njëjtë, adresa inekzistente, votues të vdekur, adresa të dyfishtë dhe ngjashëm.