Kryesia qendrore e BDI-së në përbërje më të gjerë është tubuar sot në selinë partiake në Reçicë të Vogël, që të vendos rreth koalicionimit eventual me VMRO DPMNE për formimin e qeverisë.

Nga BDI tash për tash nuk i lëshojnë ekipet e gazetarëve të regjistrojnë, e as nuk tregojnë nëse do të prononcohen apo se do të ketë kumtesë lidhur me vendimin e tyre.

Një numër i madh i gazetarëve janë mbledhur në një hapësirë të objektit të BDI-së në Reçicë të Vogël dhe presin ndonjë informacion.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani mbrëmë tha se me rëndësi është vendimi të jetë i mirë e jo i përkohshëm.

“Ne jemi të vetëdijshëm për afatet, për situatën në përgjithësi dhe dëshirojmë të gjejmë vendim që të arrijmë stabilitet politik, por fillimisht është e rëndësishme që vendimi të jetë i mirë e jo i përkohshëm” deklaroi Osmani.

Mbrëmë në Reçicë të Vogël kreu i BDI-së, Ali Ahmeti bisedoi me nënkryetarët dhe të njëjtat po vazhdojnë edhe sot.

Afati për formimin e qeverisë skadon nesër (29 janar) kur mandatari, lideri i VMRO DPMNE-së Nikola Gruevski duhet të njoftoj nëse dhe me cilën parti do të formojë koalicion.