“Jo që jemi të pagabueshëm, kishim gabime dhe lëshime, por treguam më shumë nga të gjitha garniturat politike deri më tani. Për këtë shkak, nevojitet kohë pas kohe freskime në postet zyrtare, me mundësi që një pjesë e të ndërruarve në të ardhmen të marrin ndonjë përgjegjësi të rëndësishme, nëse e meritojnë”.

Kjo ishte një pjesë e fjalimit të kryeministrit Nikolla Gruevski në kongresin e partisë, që këtë fundjavë u mbajt në Kumanovë.

Kryeministri nuk përmendi kush mund të jenë ato zyrtarë që tanimë janë të lodhur dhe cilat poste duhet të freskohen. Por, ja emrat e atyre që më gjatë janë në postet e tyre zyrtare.

Gordana Jankulloska, Zoran Stavrevski, Mile Janakieski, Ivo Ivanovski dhe Sasho Mijalkov janë rekorderë për kohën që e kanë kaluar afër kryeministrit, të gjithë janë prej ku Nikolla Gruevski erdhi në pushtet para 9 viteve.

Ministrja e brendshme Gordana Jankulloska, konsiderohet si një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe në Qeveri është nëntë vite. Zërin e saj mund ta dëgjojmë në të gjitha “bombat” që i publikon opozita. Para se të vijë në postin ministror, Jankulloska ka punuar në disa pozita në Ministrinë e financave dhe ishte edhe shef kabineti i ministrit. Ishte anëtare e Këshillit të Qytetit të Shkupit ndërsa në pozitën ministre e brendshme erdhi me formimin e qeverisë së parë të Gruevskit.

Bashkëfolësi i preferuar i Jankulloskës, ministri i financave Zoran Stavrevski, në qeverinë e parë të Gruevskit ishte zëvendës- kryetar i Qeverisë i ngarkuar për çështje ekonomike dhe me Gruevskin gjithashtu është nëntë vite. Ka punuar si koordinator i ministrive që mbulojnë fushën ekonomike, politika, aktivitete projektuese dhe reformuese të qeverisë etj. Si ministër i financave është zgjedhur në vitin 2009.

I njohur si mbështetës më i madh i kryeministrit, njeriu i cili përgjigjet në çdo kërkesë të tij, ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakievski në këtë pozitë është prej vitit 2006. Më herët ishte drejtor i përgjithshëm i “Ujërave dhe kanalizimeve” ndërsa në vitin 2004 ishte shef i kabinetit të kryetarit të VMRO DPMNE-së.

Edhe në mënyrë të papritshme gjendet në këtë listë, ministri i shoqërisë informatike Ivo Ivanovski është një prej zyrtarëve që prej fillimit është në rrethin më të ngushtë të kryeministrit. Në vitin 2006, Ivanov është emëruar si ministër pa resor i ngarkuar për zhvillimin e shoqërisë informatike ndërsa në vitin 2008 është zgjedhur si ministri i kësaj instance.

Prej fillimit me kryeministrin Gruevski është kushëriri i tij Sasho Mijalkov. Ai më 29 gusht të vitit 2006 është emëruar për drejtor i Drejtorisë për siguri dhe kundër- zbulim.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski është emëruar në vitin 2007. Në “bombat” e opozitës, Bozhinovski më shumë mund të dëgjohen në pjesën e kurdisjeve të parregullsive zgjedhore.