Shumica u befasuan nga vendimi ynë për pavarësi. Disa mendonin se do të bëhemi dhe do të mbetemi fusnotë në një histori të huaj, kështu u shpreh ndër të tjera kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në akademinë solemne e cila u mbajt mbrëmë me rastin e Ditës së pavarësisë në Teatrin popullor të Maqedonisë.
Poashtu Ivanov, në fjalimin e tij u përqendrua edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 dhjetor. Ai porositi se nuk është e rëndësishme se kush do të fitojë më së shumti vota dhe kush do të qeveris në zgjedhjet e ardhshme por, siç tha, është shumë e rëndësishme se si do të kalojë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor dhe nëse do të respektohet vullneti i qytetarëve, jo vetëm nga fituesi por edhe nga i mposhturi.
“Ilindeni i parë kishte dhjatën e vet. Luftëtarët betoheshin mbi revolen se do të sakrifikojnë jetën për lirinë e Maqedonisë. Shembullin e luftëtarëve të Ilindenit e ndoqën edhe luftëtarët në Luftën nacional- çlirimtare antifashiste që në vitin 1944 luftuan për Ilindenin e Dytë, për dhjatën e dytë, i lidhur në kuvendin e parë të KAÇKM. Kjo nënkuptoi dhjatë me të cilën u vendosën themelet e shtetit të parë të lirë dhe demokratik maqedonas. Por, kjo dhjatë u shkel nga ata, perceptimi për Maqedoninë i të cilëve u krijua për nevoja dhe interesa të huaja” tha Ivanov.
Në vend që këtë vit, që sipas presidentit duhej të jetë vit kthese dhe fillim i ri, “vazhduam të fundosemi edhe më shumë në baltin e revanshizmit dhe akuzave të ndërsjella”.
“Shoqëria, ekonomia, mediat, kultura, arti dhe sportit janë bërë peng i krizës politike ku çdo anë i sheh gabimet e tjetrit, por i mbyll sytë për gabimet e veta”, shton Ivanov.
Ai tha se në zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk është e rëndësishme kush do të fitoj më shumë vota, por është e rëndësishme si do të kaloj procesi parazgjedhor dhe zgjedhor.
“Më e rëndësishme është se çfarë do të ndodh pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Kemi humbur shumë kohë të vlefshme. Qeveria e re do të ketë detyrë në më shumë fusha. Në kushte kur janë bllokuar integrimet euro- atlantike, duhet Maqedonia të bëj kthesë strategjike brenda. Çfarë do të thotë kjo? Nëse BE nuk ka vullnet t’i filloj bisedimet për anëtarësi, atëherë ne vet duhet t’i hapim 34 kapitujt dhe vet duhet ta plotësojmë kriterin për integrime” tha mes tjerash Ivanov.