fbpx

Intervista përplot me të pavërteta e doktorit amerikan, virale në Facebook pas raportimit të mediave në gjuhën shqipe

-

Më 16 prill ishte publikuar një video në YouTube që sugjeron se virusi korona është një karrem për të imponuar “vaksina të detyrueshme” dhe mikro-çipët te njerëzit. Kjo video ka grumbulluar shpejt miliona shikime përkundër premtimit të YouTube për të luftuar dezinformatat që ndërlidhet me COVID-19, shkruan Portalb.mk.

Videoja është publikuar nga The Next News Network, kanal ky në YouTube që merret me teori konspirative dhe njihet për publikime të informacioneve të dyshimta dhe të pavërteta. Në vetëm katër ditë, videoja kishte kaluar shifrën prej 4 milionë shikimeve.

Kjo video me intervistën e Dr. Rashid Buttar është bërë lajm edhe te ne. Media të ndryshme në gjuhën shqipe kanë raportuar për këtë intervistë, duke e titulluar “Doktori amerikan trondit botën, tregon të vërtetën e Koronavirusit: Nuk ka vdekur asnjë, janë manipulime, me vaksinën do na vrasin”. Videoja është bërë virale shpejt edhe te ne, duke arritur mijëra shpërndarje në Facebook.

Buttar vazhdoi të shpërndajë informacione të rreme dhe teori konspirative në gjithë videon. Ai nxit pretendimin e rremë se “askush nuk ka demonstruar ende as edhe një vdekje të vetme nga virusi aktual”. Për më tepër, Buttar pretendon se numërimi i vdekjeve ishte i fryrë dhe se “studimet tregojnë qartë se nëse keni pasur simptoma të gripit, do të rezultoni pozitiv në test për COVID-19”, që është një tjetër e pavërtetë e përhapur në media sociale.

Buttar gjithashtu i referohet një teorie konspirative që përfshin Bill Gates ku trillon se vaksinimet në të ardhmen do të monitorohen duke vendosur më shumë çipa te njerëzit për të parë se kush e ka marr vaksinën, por me synim që të digjitalizohen të gjithë njerëzit.

Ai gjithashtu tha se distanca fizike nuk shërben si mbrojtje, “por përkundrazi shërben për gjurmim dhe për të kuptuar se kush punon dhe kush është disident dhe duhet të zhduket”

Më 24 prill, YouTube ka fshirë videon, por vetëm pasi ajo kishte arritur afro 7 milionë shikime dhe së paku 1.2 milionë interakcione në Facebook, duke e zëvendësuar me mesazhin që thoshte se videoja është hequr pasi ka shkelur udhëzimet e YouTube. Megjithatë, e njëjta video vazhdon të jetë në këtë platformë mediale, sepse është shpërndarë edhe nga kanale të tjera.

Shkruan: Dren Gërguri

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.