fbpx

Interkonjeksioni Shqipëri – Maqedoni e Veriut, asnjë shtyllë në 7 vite

-

Prej vitit 2015, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë angazhuar për ndërtimin e një linje interkonjeksioni 400 kV, por 7 vite më pas ky angazhim rezulton i largët. E ndërsa pala maqedonase ka hedhur themelet për ndërtimin e linjës përçuese të energjisë, në Shqipëri puna në terren ende s’ka filluar. Sipas një verifikimi të Faktoje rezulton se Operatori i Sistemit të Transmetimit është në pritje të përfundimit të disa procedurave me lejet e ndërtimit.

Esmeralda Topi

“Projekti i radhës është linja 400 kV Elbasan – Bitola (Maqedoni), e cila ka nisur tashmë procedurat për ndërtim dhe që do të mundësojë kompletimin e këtij rrjeti dhe ndërlidhjen më të mirë me vendet e rajonit.” – deklaronte ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku në prill të 2019, vit kur në fakt duhet të kishte përfunduar linja e interkonjeksionit me Maqedoninë e Veriut.

Në nëntor të 2016, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Banka Gjermane KfW firmosën marrëveshjen e financimit për projektin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, parashikohej që punimet të fillonin në vitin 2017 ndërsa projekti të mund të përfundonte në vitin 2019, por asnjë nga këto nuk u arrit.

Deri në janar 2023, OST nuk e ka nisur nga puna në terren. Nga një verfikim i Faktoje rezulton se projekti ka mbetur ‘peng’ i burokracive me lejet e ndërtimit të dy loteve të linjës 400 kV.

“Për të dy lotet, me daljen e VKM-ve përkatëse është duke vijuar procesi i shpronësimit dhe kompensimit të pronarëve të tokave ku do të kryhen punimet. Sa i takon lejeve të ndërtimit, pas marrjes së të cilave nis edhe implementimi i projektit, janë miratuar për të dy lotet në parim nga KKT-ja dhe me kryerjen e pagesave të taksave respektive në bashkitë ku kalon traseja e linjës, pritet marrja nga AZHT-ja e formatit përfundimtar të tyre.” – thotë OST në një përgjigje zyrtare për Faktoje, por pa dhënë asnjë sqarim të mëtejshëm mbi arsyet e vonesave disavjeçare të këtij projekti.

Ndryshe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri që nuk jep sqarime, MEPSO ‘homologia’ e OST-së në Maqedoninë e Veriut, hedh dritë mbi disa arsye që kanë diktuar ngadalësimin e projektit për pjesën maqedonase.

“Ndodhi kryesisht për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe rritjes së çmimeve të materialeve dhe shërbimeve. Kushtet e vështira dhe të pasigurta për prokurimin e pajisjeve dhe kryerjen e punimeve të ndërtimit u përkeqësuan më tej nga konflikti ushtarak në Ukrainë, i cili çoi në një tendencë edhe më të lartë të çmimeve të materialeve, energjisë dhe punës, dhe kjo ndikoi dukshëm në dinamikën e punës me të cilën kontraktori Energoinvest, B/H, realizon këtë projekt. Mbi 50% e shtyllave tashmë janë dorëzuar, dhe dërgimi i përçuesve dhe izolatorëve, me testime të më- hershme të kryera me sukses, janë në proces.”- thotë në një përgjigje zyrtare për Faktoje, MEPSO.

Por pavarësisht vonesave, sërish Maqedonia e Veriut rezulton një hap përpara Shqipërisë. Në shkurt të këtij viti atje kanë nisur punimet në terren për ndërtimin e linjës përçuese të energjisë mes dy vendeve.

“Në bazë të kushteve në terren, pritet që projekti të mos realizohet sipas afatit të parashikuar – mesi i vitit 2023. Pritjet dhe vlerësimet tona janë që realizimi i këtij investimi të zgjatet për një vit, gjë që natyrisht varet nga fuqia e krizës energjetike dhe ekonomike në nivel global, si dhe nga zhvillimi i ngjarjeve dhe konfliktit ushtarak në Ukrainë.” – argumenton për Faktoje Operatori i Sistemit Elektrotransmetues në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Pala maqedonase thotë se punimet për linjën e interkonjeksionit pritet të përfundojnë në gjysmën e parë të vitit 2024, ndërkohë që vënia në punë e këtij investimi strategjik është ‘përgjegjësi’ e të dy vendeve.

“Pritjet tona janë që pjesa e interkoneksionit që është në territorin e Republikës së Maqedonisë të përfundojë në vitin 2024, por kur të vihet në funksion kjo ndërlidhje do të varet edhe nga përgatitjet dhe dinamika e zbatimit të punimeve nga Republika e Shqipërisë.”– përfundon MEPSO.

Linja e Interkonjeksionit 400 kV Elbasan – Bitola përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir ; zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2, ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, si dhe zgjerimin e nënstacionit Fier dhe lidhjen e tij me rrjetin e transmetimit.

Kosto e përgjithshme e projektit është rreth 70 milion Euro prej të cilav,e 50 milion euro janë kredi e butë nga banka gjermane KfW; 14 milion Euro Grant nga Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe 5 milion euro kontributi i OST. Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosë që premtimin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë për linjën e interkonjeksionit, ta kosniderojmë të pambajtur.







ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.