Angazhim dhe ide shumëvjeçare politike e të gjitha qeverive deri tani, por pa kurrfarë realizimi. Ishte dhe ende është ndërtimi i hidrocentralit “Çebren” në Lumin e Zi (Crna reka) – atuja kryesore e të gjitha programeve partiake që ka theks të veçantë në secilin cikë parazgjedhor. HEC “Çebren” do të duhej të mundësojë furnizim të sigurt me energji elektrike për shtetin dhe ulje të varësisë nga importi, njofton Meta.mk.

Pavarësisht 13 tenderëve të shpallur dhe të pasuksesshëm për HEC “Çebren” gjatë 20 viteve të kaluara, për shumë arsye, pavarësisht se janë hartuar edhe më tepër studime nga ekspertë të huaj, ideja, e vjetër më se 30 vjet, ende është gjallë.

Cila është arsyeja kryesore për tenderët e pasuksesshëm?

“E thënë thjesht, nuk ka ujë të mjaftueshëm për të realizuar një projekt kaq të shtrenjtë. Ky është shkaku kryesor për dështimin e të gjithë tenderëve për HEC-Çebren. Projekti është tepër i madh për t’u përmbushur, ndërsa sasia e ujit që ka Lumi i Zi (Crna Reka) është shumë e vogël për një central të tillë madhështor siç është parashikuar. Ky është problemi kryesor. Të kota janë studime dhe tenderët që bëhen dhe publikohen vazhdimisht. Konfirmim se ka mungesë të madhe në ato studime është fakti që dhjetëra kompani të huaja paraqiten në tender e pastaj kur ta shohin dokumentacionin zbulojnë është një projekt jofitimprurës tërhiqen menjëherë. Kjo është arsyeja përse nuk ka ndonjë ofertë konkrete për HEC Çebren deri më tani, thonë ekspertët e informuar mirë për këtë problem.

Sipas tyre, hidro-potenciali natyror i Lumit të Zi nuk ka kapacitet për të operuar në hidrocentral që do të prodhonte 1.000 megavat-orë energji elektrike në vit. Për atë nevojiten sasi jashtëzakonisht të mëdha të ujit, shumë më e madhe se ajo që e ka ky lumë tani. HEC-i Çebren mund të bëhet vetëm më kapacitet më të vogël, sa HEC “Tikvesh” për shembull.

“Me të vërtetë nuk është e qartë përse çdo qeveri e ka favorizuar këtë projekt në të kaluarën, kur nuk ka kushte për zbatimin e tij. Ideja është joreale dhe e pasigurt. Studimi i fundit nuk është në dispozicion as në fakultete, kështu që ekspertët nuk mund të japin mendimin e tyre”, thonë ekspertët.

Disa ditë më parë në një konferencë për shtyp, Kryeministri teknik Oliver Spasovski dhe drejtori i ESM Vasko Kovaçevski njoftuan se ishte shpallur një thirrje e re publike ndërkombëtare për partneritet publik-privat për ndërtimin e HEC Çebren.

  • Kostoja e projektit ishte mbi 570 milion €.
  • Shtatë kompani kanë kërkuar tashmë të marrin dokumentacionin para tenderit.
  • Nuk do të hartohet studim më vete, pasi deri më tani ka pasur shumë, ndërsa i fundit është nga nëntori i vitit të kaluar.
  • Fuqia e hidrocentrali është parashikuar në 333 MW dhe prodhimtaria e energjisë në nivel vjetor 1.000 GWh.
  • Tenderi do të zgjasë deri më 3 prill të këtij viti.

Partneri privat, siç tha Kovaçevski, do të duhet të sigurojë para për ndërtimin e hidrocentralit dhe të fitojë koncesion të ujit për 60 vjet. EEM, si partner publik, do të duhet të ndërtojë një rrugë hyrëse deri te hidrocentrali, lidhje me një nënstacion e do ta ofrojë edhe HEC Tikves, në përbërje të HEC Çebren, pasi i takon të njëjtit pellg ujëmbledhës. Kovaçevski ka paralajmëruar me optimizëm se, pas 15 vjet përpjekje të pasuksesshme dhe 13 tenderë, HEC Çebren do të ndërtohej “për shkak se ka vullnet politik”.

Deri në fillim të vitit të kaluar, tenderët për HEC Çebren shkonin në kombinim me HEC “Galishte”, që është hequr si projekt jofitimprurës dhe ka mbet vetëm “Çebreni” si më realist. Qeveria vitin e kaluar njoftoi këtë investim me vlerë midis 600 milionë dhe 800 milionë euro përmes një partneriteti publik-privat midis EEM dhe një kompanie të huaj. U tha gjithashtu se IFC, si pjesë e grupit të Bankës Botërore, është e përfshirë në procesin e tenderimit dhe animimit të investitorëve të huaj.

Sipas studimeve të mëparshme, ndërtimi i HEC Çebren do të zgjaste 7-8 vjet, ndërsa kthimi i investimeve do të ishte 25 deri në 30 vjet. Në tenderin fillestar për ndërtimin e Çebrenit dhe Galishtes, rreth dy dekada më parë, mesatarisht paraqiteshin rreth një duzinë dhe më shumë kompani të huaja me reputacion. Ajo që nuk u pëlqente kompanive në ofertat e tenderit nuk u zbulua kurrë publikisht nga institucionet përkatëse shtetërore. Jozyrtarisht, investitorët kurrë nuk kanë pasur garanci të mjaftueshme nga qeveritë e Maqedonisë se projekti do të shpaguhet ekonomikisht.