Euro- komisari për zgjerim të BE-së, Johanes Han sot pasdite ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev “për të sqaruar një prej çështjeve lidhur me dialogun ndër- partiak, ku lehtësues është BE, në drejtim të marrëveshjes së arritur në Shkup më 2 qershor”, thuhet në deklaratën e KE-së, publikuar në faqen zyrtare.
Biseda telefonike mes Zan dhe Zaev vijoi pasi lideri i opozitës sot në konferencë shtypi tha se nuk do të merr pjesë në bisedimet e caktuara për 10 qershor në Bruksel.
“Në bisedë, komisari Han qartë dhe në mënyrë koncize i vërtetoi pohimet e OSBE/ODIHR për ndarjen joadekuate të shtetit nga partia, të dhënat për frikësim të votuesve, animin medial në dobi të partive në pushtet si dhe shqetësimin e KE-së për saktësinë e Listës Zgjedhore. Në mënyrë plotësuese ai e theksoi nevojën për hetim në lidhje me përmbajtjen e bisedave të përgjuara duke i përfshirë edhe ata që kanë të bëjnë me mashtrimet zgjedhore.Me rëndësi të veçantë është që Komisioni Evropian pohoi se me 10 qershor në Bruksel do të merret vendim për Qeverinë e cila do t’i përgatit zgjedhjet. Qëndrimet e tilla të eurokomesarit Han dhe Komisionit Evropian hapin mundësinë për mbajtjen e një takimi të paraparë për 10 qershor në Bruksel. Komisari iu bëri thirrje të gjithë liderët partiak që t’i respektojnë obligimet e marra më 2 qershor për tejkalimin e krizës aktuale dhe t’i afrojnë bisedimet për marrëveshje afatgjate, me të cilën duhet të zgjidhet shqetësimi legjitim në lidhje me sundimin e të së drejtës dhe të kthehet besimi i opinionit në institucionet e shtetit. Kjo është në interes të qytetarëve të vendit”, thuhet në deklaratën e KE-së.