Partia e VMRO DPMNE-së sot mbajti tubimin popullor në Shtip ku lideri Nikolla Gruevski, krahas projekteve të realizuara në ekonomi dhe infrastrukturë dhe paralajmërimin e projekteve të reja, dërgoi mesazh deri tek opozita se “sado që të përpiqen” me skenarët e tyre për ardhjen në pushtet dhe të “përfitojnë nga shërbimi i huaj” ata do të vazhdojnë me projektet dhe askush nuk do t’i ndaloj.
-Përveç që po ndërtohen tre autostrada, do të ndërtohen edhe e katërta Kërçovë- Gostivar. Këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë. Askush nuk do të na ndaloj. Askush. E dimë ne synimin e tyre dhe kjo po iu dhemb, sepse po ecim përpara duke ndërtuar fabrika. Kjo nuk u pëlqen. Projektet do të vazhdojnë dhe ka shumë investitorë- tha Gruevski.
Ai akuzoi lideri e opozitës, Zoran Zaev, të cilin në pjesën më të madhe të fjalimit e kushtëzonte me “ky i opozitës” se pasi me bashkëpunëtorët e tij kanë vërejtur se “bombat” që i kanë publikuar kanë jehonë të vogël në opinion, planifikon inskenim të tensioneve ndëretnike.
-Patjetër të gjithë të jemi syçelë dhe mos të lejojmë ta bëjnë finalen për të cilën operacioni i tyre është i sajuar. Të mos lejojmë të na gjakosin as në linja politike, as fetare e as etnike. Këtu të gjithë duhet të ndihmohemi mes vete. Të bisedohet me fqinjët tanë, miqtë, me të gjithë bashkëqytetarët, të mos lejojmë të arrijnë në skenarin që vet ata e kanë konstruktuar. Institucionet do të bëjnë çmos që kjo mos të ndodh dhe stabiliteti të vazhdoj- tha lideri i VMRO DPMNE-së.
Në tubimin e sotëm, mes tjerash, Gruevski paralajmëroi edhe rritje të pagave të nëpunësve të uniformuar në MPB dhe harmonizimin e tyre me pagat e nëpunësve të uniformuar në Doganë, në periudhën prej prillit të vitit 2015 deri më dhjetorin e vitit 2017.
-Rritja e përgjithshme e pagave për periudhën prill 2015-dhjetor 2017 do të jetë prej 15 deri 20% gjegjësisht nga 3000 denarë për çdo punëtorë mesatarisht. Masa do të fillojë të zbatohet menjëherë gjegjësisht me dhënien e pagës së prillit të këtij vitit, që do të paguhet në muajin maj. Pagat e majit do të jenë më të larta se ato të prillit për rreth 4-5%, varësisht nga niveli fillestar. Falë koalicionit maqedonas. Ne u kemi borxh atyre dhe u jemi të falënderuar që e bëjnë këtë. Le të jetë hair- tha Gruevski.
Para Gruevskit, tubimi ishte i pasuruar me program artistik, folën deputeti i VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski dhe kryeministri për çështje ekonomike, Vladimir Peshevski.
Peshevski në fjalimin e tij theksoi se opozita me bombat e fundit për fitim të vogël politik i prish raportet e vendit me Kinën, e cila u tregua si partner strategjik i besueshëm në Maqedoni.
Kjo Maqedonisë mund t’i kushtojë shumë. Të dërgojmë porosi deri tek ata që duan Maqedoninë ta shohin të gjunjëzuar. T’u themi se kjo nuk do të ndodh- tha Peshevski.